Veliaj rikthehet në detyrë: Vendim për demokracinë shqiptare

Kushtetuesja e riktheu në detyrë, Veliaj: Vendim për demokracinë shqiptare

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar për herë të parë pasi Gjykata Kushtetuese e riktheu në detyrë. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Veliaj thekson se ky është një vendim historik për demokracinë shqiptare.

Ai vijoi duke theksuar se Kushtetuesja ka rivendosur dinjitetin e ligjit dhe besimin se shteti ka ende një drejtim.

Në fund, Veliaj shprehu angazhimin e tij për të bërë gjithçka të mundur që puna në Tiranë të vijojë pa u ndalur.

Postimi i plotë:

Të dashur miq,

Për shkak të kushteve ku ndodhem, vetëm tani munda të çoj këtë postim me avokatët. Drejtësia kushtetuese foli. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ishte një vendim për të më kthyer mandatin mua, por për t’ua kthyer atyre që ju përket, popullit të Tiranës.

Ky nuk është një vendim për një njeri, por për demokracinë shqiptare, për votën e lirë dhe për çdo qytetar që beson se pushteti buron nga populli dhe i përket atij.

Gjykata Kushtetuese rivendosi jo thjesht një mandat, por dinjitetin e ligjit dhe besimin se shteti ka ende busull. E drejta mund të vonojë, por nuk harron.

Faleminderit çdo qytetari të Tiranës që besoi, që priti dhe që nuk u dorëzua. Unë do të bëj çdo gjë që është në dorën time, që puna të vijojë, dhe do të kërkoj pa u ndalur që të mos pengohem në ushtrimin e mandatit që më keni besuar.

Tirana nuk ndalet.

Ju dua shumë!

Scroll to Top