Vendim Dosja Metamorfoza: Lirohen ish-shef operacioni dhe prokuror

Vendimi/ Lirohen nga burgu ish-shefi i Operacionales dhe ish-prokurori i Kukësit

Pas më shumë se 4 orësh në dhomë këshillimi, një trupë gjykuese pranë Gjykatës së Posaçme ka shpallur vendimin për të pandehurit e parë të dosjes “Metamorfoza”, dosja e parë e SPAK-ut bazuar në komunikimet e aplikacionit të enkriptuar SKY ECC.

Behar Brajoviç (Bajri) u cilësua fajtor dhe u dënua përfundimisht me 8 vite e tetë muaj burgim, pasi përfitoi ulje nga gjykimi i shkurtuar. Edmond Preka u dënua me 7 vite burgim, ndërsa Astmer Bilali me 5 vite e 8 muaj burgim. Ata u gjetën fajtorë për grup kriminal dhe sigurim të kushteve për të kryer vrasjen e Kleant Musabelliut, Dorian Dulit, Genc Tafilit, si dhe të armikut të përbetuar të grupit Bajri, Ibrahim Licit.

Ish-shefi i Forcës së Posaçme Operacionale, Oltion Bistri, u dënua me 2 vite burgim për akuzën e zbulimit të akteve sekrete, ndërsa u shpall i pafajshëm për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Masa e sigurisë për të u shua, pasi e ka shlyer dënimin me kohën e paraburgimit.

Xhevahir Lita, ish-drejtues i prokurorisë së Kukësit, u dënua me 3 vite e katër muaj burg për “zbulim i akteve sekrete”. Edhe Lita rifitoi lirinë.

Gjykata vendosi që për Ardit Hasanbegajn dhe biznesmenin Pëllumb Gjoka, vendimi të shpallet më 2 dhjetor, pasi avokatët e tyre nuk kanë paraqitur argumentet e mbrojtjes.

Kjo është hera e parë që hapet një praktikë e tillë, ku të pandehurit gjykohen në një proces, ndërsa vendimi shpallet veçmas. Disa nga të pandehurit e dosjes “Metamorfoza”, si Pëllumb Gjoka, po gjykohen në një tjetër proces me procedurë të zakonshme për vrasjen e Gjin Boricit në vitin 2020 në Vaun e Dejës dhe krime të tjera të rënda.

Scroll to Top