Vendim Gjykatë Kushtetuese: Belinda Balluku mbetet pezull nga detyra

Del vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Belinda Ballukun

Gjykata Kushtetuese ka marrë sot vendimin lidhur me kërkesën e kryeministrit Edi Rama kundër masës së sigurisë “pezullim nga detyra” të vendosur ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Tetë gjyqtarët janë ndarë në mënyrë të barabartë, 4 me 4, duke bërë që të rrëzohet kërkesa e kryeministrit Rama, pasi nuk ka mundur të sigurojë shumicën e votave.

Ky rezultat do të thotë se mbetet në fuqi pezullimi i Ballukut nga detyra, një vendim i marrë nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Në vendimin e shpallur nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, rezulton se kërkesa nuk ka arritur korumin e nevojshëm të votave, duke u ndarë 4 vota në favor të kryeministrit Rama dhe 4 vota në favor të SPAK. Për të kaluar, kërkohej një korum prej 5 votash.

Kështu, për zonjën Balluku, masa e pezullimit nga funksionet publike mbetet në fuqi.

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese ishin “ngujuar” në Dhomën e Këshillimit që prej orës 11:00 të mëngjesit dhe janë larguar vetëm pak minuta për të konsumuar drekën.

Kjo ishte mbledhja e tretë e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, pasi dy mbledhjet e mëparshme kishin dështuar për shkak se disa anëtarë kishin kërkuar më shumë kohë për shqyrtim.

Belinda Balluku ka edhe një përballje tjetër në Kuvend, pasi SPAK ka kërkuar një masë edhe më të ashpër, siç është arrestimi. Këshilli i Mandateve do të duhet të mblidhet për të marrë një vendim.

Lajmi po përditësohet…

Scroll to Top