BotaKryesoreneutrale

Venezuela: ZVP mohon negociata me SHBA për largim të presidentit

Zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodriguez, ka mohuar të enjten pretendimet se ajo ka negociuar me Shtetet e Bashkuara për të rrëzuar Presidentin Nicolas Maduro nga pushteti. Këto pretendime janë bërë nga gazeta amerikane Miami Herald.

Miami Herald raportoi se Rodriguez dhe vëllai i saj, kryetari i parlamentit Jorge, kishin zhvilluar bisedime me Uashingtonin për largimin e Presidentit Maduro, duke kërkuar të ruajnë pozitat e tyre. Gazeta nuk ka zbuluar burimet e saj.

“Gënjeshtra! Një tjetër media vazhdon ndyrësinë e luftës psikologjike kundër popullit venezuelian. Ata nuk kanë moral, nuk kanë parime, përhapin gënjeshtra dhe kalbje,” ka reaguar Rodriguez nëpërmjet Telegram.

Ajo ka shtuar se “Revolucioni bolivarian mbështetet te udhëheqja më e lartë politiko-ushtarake e bashkuar rreth vullnetit popullor”, duke shoqëruar postimin me një foto me Presidentin Maduro dhe mbishkrimin: “së bashku dhe të bashkuar me Presidentin Maduro”.

Sipas Miami Herald, Rodriguez e ka bërë këtë propozim përmes kontakteve në Katar, një vend që ka luajtur rol ndërmjetësues në shkëmbime të burgosurish mes SHBA-së dhe Venezuelës.

Ndërkohë, Uashingtoni ka dislokuar shtatë anije luftarake dhe një nëndetëse me energji bërthamore në Karaibe, si dhe një tjetër në Gjirin e Meksikës. Këto lëvizje paraqiten si operacione kundër narkotikëve, të cilat synojnë konkretisht Venezuelën dhe Presidentin Maduro.

Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar më herët operacionet sekrete të CIA-s në Venezuelë dhe ka njoftuar të paktën pesë sulme që nga fillimi i shtatorit kundër motoskafeve të dyshuara për transport droge, të cilat kanë rezultuar në vdekjen e të paktën 27 personave.

Presidenti Maduro ka komentuar këto veprime, duke pyetur nëse është e besueshme që CIA të mos ketë vepruar në Venezuelë për 60 vite apo të mos ketë komplotuar kundër ish-presidentit Hugo Chavez dhe kundër tij për 26 vite.