“`html
KPA shqyrton parashtrimet lidhur me vetingun e prokurorit Enklid Gjini
Drejtorit i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka mbështetur shkaqet e parashtruara në ankimin e Komisionerit Publik, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPC), i cili konfirmoi në detyrë prokurorin e Tiranës, Enklid Gjini.
Prokurori Klodian Braho, që përfaqëson Altin Dumanin në këtë çështje, deklaroi se qëndronte pranë shkaqeve të paraqitura në parim, duke theksuar se, sipas akteve të dosjes, subjekti duhet të shkarkohet nga detyra. Megjithatë, Braho shtoi se në konkluzionet përfundimtare do të merren në konsideratë edhe provat dhe parashtrimet e subjektit të rivlerësimit.
Nga ana tjetër, Enklid Gjini nënvizoi se ankimi dhe parashtrimet e drejtuesit të SPAK nuk përmbajnë elementë të rinj provues apo argumentim juridik që do të cënonin arsyetimin e KPC-së. Ai kërkoi lënien në fuqi të vendimit të konfirmimit të tij.
Prokurori Enklid Gjini u konfirmua në detyrë më 10 korrik 2023, me shumicë votash. Shumica e trupës së KPC-së konkludoi se subjekti kishte arritur një nivel të besueshëm për sa i përket pasurisë dhe pastërtisë së figurës, si dhe një nivel kualifikues për profesionalizmin. Ndërkohë, pakica e KPC-së vlerësoi se ai duhej shkarkuar, duke argumentuar se Gjini kishte mungesë burimesh financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë, kishte kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm, kishte ndërmarrë veprime për të fshehur pasurinë dhe se, në vlerësim tërësor, kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia.
Lidhur me një apartament me sipërfaqe 53.5 m2 në Tiranë, të blerë nga subjekti në vitin 2007, prokurori Braho vuri në dukje se Gjini kishte nënshkruar akte me çmime të ndryshme për këtë pasuri dhe rezultonte me pamundësi financiare. Gjithashtu, u theksua se subjekti ishte përpjekur ta paraqiste në mënyrë të pasaktë këtë pasuri.
Në ankim u konstatua se deklarimi i subjektit gjatë hetimit administrativ për blerjen e apartamentit, duke paguar vetëm 20 mijë euro dhe duke marrë kredi për këtë qëllim, nuk përputhej me deklarimet e tij të mëparshme, ku shuma e përcaktuar përpara marrjes së kredisë bankare ishte 1.9 milionë lekë.
Prokurori Gjini parashtroi se Komisioneri po anashkalon faktin themelor në verifikimin e kësaj pasurie, atë të pagesës së çmimit me anë të një transferte bankare prej 20 mijë eurosh, marrë me kredi, transaksion ky i kryer sipas kontratës së shitblerjes. Sipas Gjinit, në ankim është bërë një lexim selektiv i provave, duke e kthyer një mospërputhje formale në pretendimin për deklarim të rremë.
Ai nënvizoi se në të gjitha deklarimet e mëparshme kishte pohuar të njëjtën gjë: 20 mijë euro ishin shpenzuar për blerjen, ndërsa 1.2 milionë lekë për rikonstruksionin. “Shpërfillen deklarimet e mia të qëndrueshme”, deklaroi ai. Subjekti shtoi se diferenca prej 10 mijë eurosh, që trajtohet si vlerë e padeklaruar në ankim, në fakt përfaqëson shpenzimin për punimet e rikonstruksionit, gjë që sipas tij provohet me akte shkresore. Gjini sqaroi se në marrëveshjen paraprake me palën shitëse parashikohej një vlerë totale prej 30 mijë eurosh pas rikonstruksionit. Ai shtoi se akti tjetër notarial, i hartuar para blerjes, ishte kryer për të mundësuar kalimin e pasurisë në emër të tij dhe bashkëshortes, me qëllim përdorimin e saj si garanci për kredinë. Subjekti shpjegoi se apartamenti u vendos si garanci pasi kredia do të merrej pikërisht për këtë pasuri. “Vërtetohet se nuk ka asnjë pagesë tjetër veç asaj të kryer me transfertë bankare me vlerën e marrë kredi”, tha prokurori Gjini, duke theksuar se gjithçka që ai pretendon vërtetohet me dokumentacion.
Ai shtoi se, edhe sikur të konsiderohej se, para kalimit të 20 mijë eurove të marra me kredi, ishte paguar shuma prej 10 mijë eurosh, sërish pamundësia financiare do të mbetej e tillë që të mos sillte penalizim.
Lidhur me kriterin e figurës, prokurori Braho kujtoi raportin e dytë të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (AKSIK), i cili kishte konstatuar papërshtatshmërinë e subjektit, bazuar në informacione për implikim në veprimtari të kundërligjshme. Braho kërkoi të vlerësoheshin veprimet e subjektit në dy çështje penale: njëra e pushuar dhe në të tjetrën mungonte vendimi për zgjatjen e hetimeve, pa u ankimuar vendimi i ndryshëm i gjykatës.
Prokurori Gjini i kundërshtoi shkaqet për figurën. Ai deklaroi se kishte kryer të gjitha hetimet e nevojshme dhe se vendimmarrja ishte bazuar mbi një akt-ekspertim që e klasifikonte lëndimin si plagosje të lehtë, pa elementë të veprës penale. “Vendimi i pushimit është i saktë dhe nuk mund të vendosej ndryshe”, pohoi ai.
Për pretendimet në çështjen tjetër lidhur me mungesën e një vendimi për zgjatjen e hetimeve, subjekti deklaroi se në dosje gjenden 5 vendime për zgjatje. Ai vërejti se dosja përbëhet nga shtatë vëllime dhe se akti për zgjatjen e hetimeve ndodhet aty. Gjini pohoi se çështja kishte përfunduar me pafajësi. Lidhur me pretendimin e Komisionerit për mosankimin e çështjes, Gjini tha se ky ishte një vlerësim i prokurorit dhe nuk mund të ishte pjesë e procesit të rivlerësimit kalimtar.
Gjithashtu, Braho kërkoi që në vlerësimin tërësor të konsideroheshin veprimet e subjektit lidhur me dy automjete në përdorim. Sipas drejtuesit të SPAK, prokurori Gjini kishte detyrimin të pasqyronte në deklaratën veting përdorimin e një prej automjeteve dhe ngriti dyshime për fshehje.
Në përfundim të parashtrimeve, prokurori Braho kërkoi shkarkimin nga detyra të subjektit.
Lidhur me mosdeklarimin e njërës prej makinave, prokurori Gjini sqaroi se marrëdhënia kishte qenë kalimtare dhe e paformalizuar me shitje. Sipas tij, prokura e posaçme autorizonte përdorimin e mjetit deri në momentin e blerjes, por kjo kontratë nuk ishte realizuar për shkaqe të pavarura nga ai. Subjekti pohoi se në vitin 2008 kishte shënuar se çmimi për këtë automjet ishte likujduar, por pa u formalizuar, ndërsa në vitin 2016 kishte deklaruar se ishte nxjerrë jashtë përdorimit për shkak të amortizimit. Ai shtoi se mungesa e dosjes në DPSHTRR nuk krijon kundërthënie, pasi mjeti kishte qenë me targa të huaja dhe nuk ishte regjistruar kurrë në Shqipëri. Në përfundim, ai këmbënguli se nuk kishte asnjë tregues për fshehje të kësaj pasurie në momentin e plotësimit të deklaratës veting, pasi në atë kohë makina nuk ekzistonte.
Për makinën tjetër, subjekti pretendoi se huapërdorja kishte qenë thjesht për një provë disa ditore dhe makina ishte kthyer, prandaj nuk kishte pasur detyrim për ta pasqyruar në deklaratën veting. Ai pohoi se makina ishte blerë disa muaj më vonë dhe ishte regjistruar në emër të bashkëshortes.
Në përfundim, prokurori Gjini kërkoi që të lihet në fuqi vendimmarrja e KPC-së për konfirmimin e tij në detyrë.
Kolegji vendosi të mos hetojë më tej dy denoncime të reja, pasi nuk u gjetën shkaqe të mjaftueshme. Lidhur me shkaqet e ngritura për figurën, trupi gjykues vendosi të njihet drejtpërdrejtë me informacionet e klasifikuara. Seanca u shty për datën 15 dhjetor, në orën 09:00, kur pritet të paraqiten konkluzionet përfundimtare.
“`