Hën. Gus 20th, 2018

Vetingu, ONM: Po ecën sipas parashikimeve, nuk tolerohet influenca

TIRANË, 8 Gusht/ATSH-A.Fortuzi/- Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit nuk toleron asnjë presion apo influencë lidhur me proçesin e vetting-ut. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit thekson se procesi i vetting-ut po zhvillohet në përputhje me parashikimet në aneksin e Kushtetutës dhe ligjin e Veting-ut.

“Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit nuk spekulon mbi akuzat që lidhen me procesin e vetting-ut. Përgjithësisht ONM mendon se procesi i vetting-ut po zhvillohet brenda kuadrit ligjor dhe bazuar në zbatimin e parashikimeve ligjore. ONM do të vazhdojë të monitorojë nga afër këtë proces. Çdo përpjekje për të influencuar procesin e vetting-ut, ose përpjekje për të intimiduar punën e institucioneve të vetting-ut, nuk do të tolerohen”, thuhet në reagimin e OMN për vizion plus.

OMN sqaron se nuk ka funksion ekzekutiv mbi vendimmarrjen e komisionerëve të vetting-ut, por vetëm rol këshillues.

“ONM i ka rekomanduar Komisionerit Publik të apelojë kundër vendimit që konfirmoi në detyrë kreun e Gjykatës Kushtetuese. Komisioneri Publik ka ndjekur këtë rekomandim dhe ka dorëzuar apelimin për këtë rast. Baza për këtë rekomandim, nga ana e vëzhguesve ndërkombëtarë shtrihet në faktin se ONM nuk është dakord me arsyetimin dhe përfundimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për këtë rast. Më 6 Gusht 2018, u rekomandua apelimi mbi të njëjtat baza, për rastin e kreut të Gjykatës së lartë, i cili u konfirmua në detyrë me vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit më 24 Korrik 2018.

“Është përsëri në të drejtën e Komisionerit Publik të vendosë ose jo të ndjekë këtë rekomandim, bën me dije ONM.

OMN nënvizon se procesi po vlerësohet dhe monitorohet me kujdes “Vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM-së analizojnë çdo dosje të vetting-ut. Kur në këndvështrimin dhe opinionin e tyre ekziston nevoja për të apeluar raste të caktuara, ata do t’i rekomandojnë Komisionerit Publik për ta bërë një gjë të tillë, ashtu siç ka ndodhur. Bazuar në nenin 65, paragrafët 2 dhe 3 të Ligjit të Vetting-ut, është në kompetencë të Komisionerit Publik të vendosë nëse do ndjekë ose jo rekomandimin. ONM beson se trupa e Apelit do të rishikojë tërësisht të gjitha çështjet që shqyrton Për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit procesi i vetting-ut po zhvillohet në përputhje me parashikimet në aneksin e kushtetutës dhe ligjin e Vetting-ut”, thuhet në reagim. /a.g/

Kategori