Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka shtyrë seancën e vetingut për ish-drejtuesin e Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka. Ky vendim u mor pas një kërkese nga vëzhguesi ndërkombëtar, Francesco Ciardi, për administrimin e akteve të lidhura me çështjen penale të ngritur ndaj Zarkës nga SPAK.
Ciardi theksoi se ndaj Zarkës vijon procesi penal për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm në çështjen e “Toyota Auris”. Ai kërkoi shtyrjen e seancës për të mundësuar marrjen e akteve zyrtare, përfshirë njoftimin e akuzës nga SPAK, vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë dhe atë të Apelit.
Prokurori Adnan Xholi, përfaqësues i SPAK, u shpreh dakord me kërkesën. Ndërkohë, avokati Julian Mërtiri, përfaqësues ligjor i Zarkës, rikujtoi kërkesën e tij për pezullimin e çështjes deri në një vendim të formës së prerë. Ai sqaroi se Apeli i Posaçëm kishte prishur vendimin e shkallës së parë, duke rikthyer çështjen për gjykim, çka do të thotë se nuk ka një vendim dënimi të formës së prerë për Zarkën. Lidhur me kërkesën e vëzhguesit, Mërtiri e la në vlerësim të trupit gjykues.
Pas konsultimeve, Kolegji vendosi të pranojë kërkesën e vëzhguesit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe shtyu seancën për më datë 29 janar të vitit të ardhshëm, në orën 10:00.
Aurel Zarka ishte konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) më 28 qershor të vitit të kaluar, pa probleme të dukshme. Megjithatë, më 30 korrik, ai u arrestua nga Prokuroria e Posaçme për ndikim të paligjshëm në tetë çështje penale, kryesisht të lidhura me krimin e organizuar, si pastrimi i parave dhe kultivimi i narkotikëve. Interesimi kryesor ishte për çështjen e “Toyota Auris”, e cila u fokusua pas sekuestrimit të 3.4 milionë eurove në portin e Durrësit.
Pas vendimit të konfirmimit nga KPK, ONM kërkoi ankimimin e çështjes, duke u bazuar në gjetjet rreth akuzave të SPAK. Komisioneri Publik ndoqi të njëjtën linjë, duke theksuar dyshimet e arsyeshme për bashkëpunim dhe ofrim/premtim përfitimesh të parregullta për të ushtruar ndikim te zyrtarët e drejtësisë.
Zarka ishte dënuar fillimisht me dy vjet e tetë muaj burg nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, por Apeli e prishi këtë vendim të mërkurën dhe e riktheu për gjykim nga një tjetër trup gjykues.