“`html
BIRN: Vetingu Mbyll Siparin, duke Lënë Pas një Sistem Drejtësie të Brishtë
Gjatë tetë viteve të fundit, 805 gjyqtarë, prokurorë dhe ndihmës ligjorë të vendit i janë nënshtruar procesit të vetingut, një reformë kyçe në sistemin e drejtësisë, e cila përfundoi me vendimet e fundit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit më 5 mars.
Analiza e të dhënave nga BIRN tregon se 442 subjekte rivlerësimi, ose 55% e totalit, janë larguar nga detyra. Prej tyre, 268 janë shkarkuar, 105 kanë dhënë dorëheqjen, ndërsa 49 të tjerë janë larguar pa një vendim përfundimtar. Pjesa tjetër e tyre i kanë përballuar sfidat e procesit, të cilin shumë vëzhgues dhe praktikantë të ligjit e kanë konsideruar si të vështirë, të thellë dhe me dritëhije.
Më shumë se gjysma e magjistratëve të vendit kanë kaluar vite të gjata duke u përballur me shkallën e parë dhe Kolegjin, ndërkohë që një numër më i kufizuar i tyre i janë drejtuar edhe Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit për Studime Politike, e vlerëson procesin e vetingut si një “operacion të jashtëzakonshëm” me një bilanc pozitiv për drejtësinë. Ai shtoi se, duke pasur parasysh kushtet e Shqipërisë, ky ka qenë ndoshta rruga e vetme për të realizuar një reformë të tillë dhe zgjidhja e duhur në kornizën institucionale.
Erida Skëndaj, drejtuese e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, një organizatë monitoruese e procesit, thekson se vetingu ka rrëzuar konceptin e paprekshmërisë së magjistratëve. “Efekti pozitiv është se gjyqtarë dhe prokurorë me probleme serioze me kriterin e pasurisë dhe figurës u larguan nga sistemi. Koncepti i paprekshmërisë së tyre ra,” tha Skëndaj.
Avokatja Romina Zano, e cila ka mbrojtur një numër të konsiderueshëm magjistratësh, e cilëson procesin e rivlerësimit kalimtar si ndërhyrjen më të rëndësishme strukturore në sistemin shqiptar të drejtësisë që prej vitit 1991, me arritjen kryesore të faktit se “procesi i shumëpritur ndodhi”. Megjithatë, Zano shprehet kritike ndaj standardeve të ndjekura dhe barrës që i është ngarkuar magjistratëve, duke vlerësuar se vetingu lë pas trashëgimi të pazgjidhura. “Barra asimetrike e provës ka rënduar mbi subjekte që kishin jetuar dhe punuar me integritet,” theksoi Zano, duke shtuar se “vitet e pasigurisë profesionale, sociale, morale apo reputacionale për subjektet dhe familjet e tyre kanë ngritur pyetje serioze mbi prezumimin e përshtatshmërisë për detyrën gjatë gjithë procedurës.”
Mangësitë e Procesit
Vëzhguesit dhe përfaqësuesit ligjorë të avokatëve bien dakord për mangësitë e procesit, duke renditur në krye përzgjedhjen e anëtarëve të komisioneve të vetingut dhe mungesën e profesionalizimit të tyre.
Sipas Krasniqit, anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit u zgjodhën nën presionin e kohës, pa u analizuar siç duhet aspekti profesional apo kriteret e përcaktuara. Zgjedhja në kundërshtim me kriteret për disa prej anëtarëve ka hedhur një hije dyshimi mbi procesin, veçanërisht në rastet e Luan Dacit dhe Artan Hajdarit nga KPA. Daci u shkarkua nga detyra në dhjetor 2021 pasi u shpall fajtor për falsifikimin e formularit të aplikimit, ndërsa Hajdari u dënua për fshehjen e të ardhurave dhe pasurisë.
Avokati Julian Mërtiri, i cili ka përfaqësuar gjithashtu një numër të madh magjistratësh, thekson se problemi kryesor ishte se komisionerët që kontrolluan gjyqtarët dhe prokurorët, nuk iu nënshtruan procesit të vetingut. “Mungesa e këtij procesi vetingu, pasoi largimin e disa prej tyre, duke u dënuar madje me vendime gjyqësore penale të formës së prerë. Elementë këta të cilët nuk ndikuan në rritjen e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë, por përkundrazi cenuan më tej këtë besim, duke u cilësuar shpeshherë procesi si i paragjykuar,” u shpreh Mërtiri.
Mërtiri rendit gjithashtu probleme të tjera, si shkelja e parimit të gjykatës së caktuar me ligj, mungesa e barazisë së palëve dhe standardet e ndryshme të ndjekura për çështje të ngjashme. Ai vë në dukje se magjistratët nuk patën mundësinë të dëgjoheshin dhe gjykoheshin nga një gjykatë e paanshme, pasi e njëjta trupë e KPK-së bënte hetimin dhe më pas merrte vendimin. Në procesin e zhvilluar në KPA, palët ishin gjithashtu të pabarabarta. “Për shumë subjekte që KPK konstatoi mangësi, Komisionerët Publikë nuk paraqitën ankime, duke krijuar perceptimin në raste të caktuara, se procesi nuk ishte objektiv, por i paragjykuar,” tha Mërtiri.
Ai përmend gjithashtu vendimarrjet e ndryshme të trupave të KPK-së për raste të ngjashme, duke munguar një unifikim qëndrimi midis tyre. “Duke u trajtuar subjektivisht ndryshe dhe duke konfirmuar apo shkarkuar subjekte, rastet e të cilëve po ashtu u trajtuan ndryshe nga Kolegji”, vërejti Mërtiri, duke shtuar se edhe parimi i proporcionalitetit u interpretua në mënyra të ndryshme.
Skëndaj konfirmon standardet e ndryshme, të ndjekura veçanërisht nga KPK në fillim të procesit, por thekson se këto mangësi u korrigjuan në Kolegj përmes një qasjeje unifikuese dhe vendosjes së standardeve që minimizuan efektin e tyre.
“Vlen të theksohet se, duke iu referuar jurisprudencës së Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GjEDNj), procesi e ka kaluar testin e ofrimit dhe respektimit të garancive të një procesi të rregullt ligjor, me disa përjashtime si në rastin Cani kundër Shqipërisë apo Thanza kundër Shqipërisë, apo lidhur me të drejtën për jetë private dhe familjare, sikurse ka qenë rasti Sevdari kundër Shqipërisë”, theksoi Skëndaj.
Larg Drejtësisë së Premtuar
Shkarkimet masive të gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë krijuar një vakuum të thellë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, i cili vazhdon të ketë pasoja edhe sot. Ndërkohë, pastrimi i drejtësisë nga korrupsioni dhe pavarësia nga klasa politike mbeten sfida.
Krasniqi kritikon arkitektët e reformës në drejtësi për mospërfilljen e dy elementëve kyç: mungesën e burimeve njerëzore dhe mungesën e garancive që pengojnë rikthimin e koorporatizmit në sistemin e drejtësisë. “Fakti se ende ka boshllëk të madh në gjykata dhe prokurori është kosto e këtij gabimi dhe mungese vizioni strategjik, si dhe fakti se vetë autorët e reformës siguruan poste e karriera personale, duke evituar edhe vetingun,” tha ai.
Krasniqi beson se drejtësia është sot më funksionale dhe më cilësore se para vitit 2016, por ende larg standardeve të premtuara. Ai vlerëson se, pavarësisht rezultateve pozitive, reforma mbetet e brishtë dhe duhet parë si një proces i papërfunduar. “Kur ka pritshmëri të larta, ka edhe zhgënjime dhe mendoj se reforma në tërësinë e saj ka nota kaluese, por është larg asaj që ka nevojë vendi dhe që në thelb u premtua,” tha Krasniqi, duke renditur drejtësinë e vonuar për qytetarët si problemin kryesor.
Skëndaj gjithashtu vëren një trend përmirësues në sistemin e drejtësisë, por të pamjaftueshëm për të thënë se plaga e korrupsionit është shëruar. Ajo vlerëson se korrupsioni, si normë sociale në Shqipëri, vazhdon të ndikojë sistemin gjyqësor, së bashku me pasojat e çështjeve të prapambetura dhe konfliktit të interesit.
Përveç korrupsionit, Skëndaj mendon se sistemi është ende i dobët ndaj ndërhyrjeve politike. “Ndikimi i politikës mbetet problem më i ndjeshëm, si në drejtim të deklaratave publike por edhe presioneve për ndërhyrje në legjislacionin në kuadër të sistemit të drejtësisë,” theksoi ajo.
Avokati Mërtiri shton se vetingu solli prurje jo të natyrshme dhe me urgjencë të një numri shumë të lartë magjistratësh të rinj, duke ulur cilësinë dhe eksperiencën në gjykim dhe hetim, në dëm të besimit të qytetarëve. “Lëvizjet e shpeshta të gjyqtarëve dhe dorëzimi i njëpasnjëshëm i dosjeve nuk ka ndikuar në rritje besimi, por në të kundërt. Marrja e një vendimi me formë të prerë nga qytetarët është sot gati e pamundur, duke u shqyrtuar ende çështje të mbi 10 viteve më parë nga gjykatat e faktit,” theksoi ai.
Avokatja Romina Zano thekson se ndikimi afatgjatë nuk matet vetëm me numrin e shkarkimeve, por me cilësinë e sistemit që mbetet. Ajo shtoi se zëvendësimi numerik nuk garanton në mënyrë absolute “cilësi dhe integritet”.
“Mësimi kryesor është se veting-u ka qenë ‘kirurgji’ e domosdoshme, por shëndeti i sistemit kërkon një regjim të qëndrueshëm, që përkthehet në paga të drejta, pavarësi buxhetore, disiplinë të shëndetshme juridike dhe cilësore,” tha Zano, duke shtuar: “dhe mbi të gjitha, një kulturë institucionale ku integriteti është normë dhe jo përjashtim.”
“`
