Hën. Gus 20th, 2018

Vetting-u, ONM ankimon vendimin e KPK për Zaganjorin

TIRANË,6 gusht/ATSH- I. Vata/ – Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ONM u ka paraqitur sot Komisionerëve Publikë rekomandimin për ta ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të  Xhezair Zaganjorit.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi me datë 24.07.2018, në përfundim të seancës dëgjimore, konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Xhezair Zaganjori me detyrë Kryetar i Gjykatës së Lartë.

Komisionerët Publikë, pasi t’u jetë njoftuar vendimi me shkrim i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit do ta shqyrtojnë atë krahas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Bazuar në pikën 7 të nenit 55 të ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka 30 ditë afat për t’ia njoftuar vendimin me shkrim Komisionerëve Publikë.

Ky vendim ende nuk është njoftuar. Bazuar në pikën 1 të nenit 63 të ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

Kategori