12 trupa të pajetë janë gjetur pas shembjes së minierës në Venezuelë
Dymbëdhjetë persona kanë humbur jetën pas shembjes së një miniere në shtetin jugor Bolivar të Venezuelës, bëri të ditur guvernatorja Yulisbeth Garcia.
Ekipet e shpëtimit nxorën trupat nga miniera Cuatro Esquinas, në qytetin El Callao, pas 168 orësh përpjekjesh të pandërprera kërkimi, tha ajo në median sociale.
Shembja, e shkaktuar nga reshjet e rrëmbyeshme të javës së kaluar, kishte lënë 14 minatorë të bllokuar nën tokë.
Garcia shtoi se operacioni ishte një përpjekje e përbashkët që përfshinte autoritetet e mbrojtjes civile, zjarrfikësit dhe minatorët, të cilët “punuan në një koordinim të përsosur popullor-ushtarak”.
“Të gjitha familjeve të viktimave, u shprehim ngushëllimet tona më të thella dhe mbështetjen tonë të plotë”, deklaroi Garcia.
