Viktimat e zjarrit në Tuzlla, numri arrin në 13

Bosnje & Hercegovinë/ Numri i viktimave nga zjarri në Tuzlla rritet në 13

Një person tjetër ndërroi jetë të enjten në mbrëmje në Qendrën Klinike të Tuzllës, duke e çuar në 13 numrin e viktimave nga zjarri që më 4 nëntor kaploi një shtëpi pleqsh në Tuzlla. Ky informacion u bë i ditur të premten në mëngjes, më 7 nëntor, nga ky institucion shëndetësor.

Sipas rezultateve parapërake të autopsive të kryera deri tani, të cilat mjekët ia kanë komunikuar gojarisht Prokurorisë, 11 persona kanë vdekur si pasojë e mbytjes, pra helmimit nga monoksidi i karbonit.

Prokuroria e Kantonit të Tuzllës bëri të ditur më 6 nëntor se hetimi në vendngjarje ka përfunduar dhe se ky institucion do t’i dorëzojë raportet në periudhën e ardhshme Sektorit të Policisë Kriminale të Ministrisë së Punëve të Brendshme të këtij kantoni.

“Rreth shkaqeve të zjarrit do të informojmë publikun pasi të analizohen raportet dhe gjetjet e ekspertëve dhe hetuesve”, tha prokuroria e këtij kantoni.

Në Tuzlla janë shpallur katër ditë zie.

Drejtori i shtëpisë së pleqve në Tuzlla, Mirsad Bakalloviq, dha dorëheqjen më 5 nëntor. Ky institucion financohet vetë nga të ardhurat që siguron dhe, sipas deklaratës së drejtorit dhënë për N1 në janar, shtëpia e pleqve nuk merr para nga asnjë buxhet.

Qyteti i Tuzllës është pronar i ndërtesës së shtëpisë së pleqve dhe emëron menaxhmentin, por nuk ofron subvencione ose fonde nga buxheti.

Kryeministri i Federatës, Nermin Nikshiq, premtoi ndihmën e Qeverisë së Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës për kujdesin e personave të vendosur në shtëpinë e pleqve.

Scroll to Top