Vinicius kërkon falje publikisht për sjelljen në “El Clasico”, por lë jashtë trajnerin Xabi Alonso
Sulmuesi brazilian i Real Madrid, Vinicius, ishte një nga lojtarët kryesorë në “El Clasico” kundër Barcelonës, jo vetëm për performancën e tij në fushë, por edhe për shpërthimet e nervozizmit gjatë zëvendësimit nga Xabi Alonso dhe në fund të ndeshjes në përballje me Jamal. Sulmuesi u filmua duke shprehur pakënaqësi dhe duke kërcënuar me largim nga Real Madrid gjatë shpërthimit të tij pas zëvendësimit, ku nuk kurseu as sharjet ndaj trajnerit.
Sot, ai ka kërkuar falje publikisht përmes një postimi në rrjetet sociale. Megjithatë, në këtë falje mungonte emri i personit që ai kishte fyer më së shumti, Xabi Alonso.
Postimi i Vinicius lexonte:
- “Sot dua t’u kërkoj falje të gjithë madrilenëve për reagimin tim pas zëvendësimit në ‘El Clasico’.
- Ashtu siç e kam bërë personalisht gjatë stërvitjes së sotme, gjithashtu dua t’i kërkoj falje edhe një herë shokëve të skuadrës, klubit dhe presidentit.
- Ndonjëherë pasioni më mund pasi kërkoj gjithmonë të fitoj dhe të ndihmoj ekipin tim.
- Karakteri im konkurrues lind nga dashuria që ndjej për këtë klub dhe për të gjithë atë që përfaqëson.
- Premtoj se do të vazhdoj të luftoj çdo sekondë për të mirën e Real Madrid, ashtu siç e kam bërë që në ditën e parë.”
PANORAMASPORT.AL
