“Qeshte kur i lutesha të ndalonte”, Virginia Giuffre flet për një kryeministër të akuzuar për përdhunim
Virginia Giuffre, në librin e saj të kujtimeve të titulluar “Nobody’s Girl: A Memoir of Surviving Abuse and Fighting for Justice”, ka bërë të ditur se është përdhunuar nga një “kryeministër shumë i njohur”. Ajo ka shpjeguar se ka zgjedhur të mbajë emrin e tij anonim për shkak të kërcënimeve të mundshme që do të mund të vinin si pasojë e një deklarate publike.
Disa media kanë ngritur hipoteza dhe pretendime se personi në fjalë mund të jetë ish-kryeministri i Izraelit, Ehud Barak. Ky lajm është raportuar së fundmi nga media të mëdha ndërkombëtare, përfshirë CNN.
Giuffre ka dhënë detaje tronditëse rreth përjetimit të saj, duke përfshirë forcën e ushtruar dhe talljen që ajo ka dëgjuar ndërsa i lutej që të ndalonte.
Virginia Giuffre (lindur si Virginia Roberts) ka qenë një nga dëshmitaret kryesore në skandalin ndërkombëtar të lidhur me Jeffrey Epstein dhe rrjetin e tij të shfrytëzimit seksual të minorenave. Ajo ka dëshmuar se u rekrutua nga rrjeti i Epstein në moshë shumë të re, rreth 16 vjeç, ndërsa punonte në një spa në Palm Beach.
Ajo pretendon se është trafikuar seksualisht nga Epstein dhe bashkëpunëtorja e tij Ghislaine Maxwell, duke u shitur personave me ndikim në politikë dhe biznes. Një nga rastet më të bujshme ka qenë padia kundër Princit Andrew të Mbretërisë së Bashkuar, për të cilin Giuffre pretendon se ka pasur marrëdhënie seksuale me të kundër vullnetit të saj kur ajo ishte minorene. Ky rast u zgjidh jashtë gjykatës në vitin 2022, pa pranim faji nga ana e Princit.
Giuffre themeloi gjithashtu një organizatë jofitimprurëse, “Speak Out, Act, Reclaim (SOAR)”, me qëllim të ndihmës për viktimat e trafikimit seksual.
Virginia Giuffre ndërroi jetë më 25 prill 2025, në moshën 41-vjeçare, në banesën e saj në Neergabby, Australia Perëndimore. Vdekja e saj është klasifikuar si rast vetëvrasje, por dyshimet mbeten të forta.
Kohët e fundit, kujtimet e saj janë publikuar në librin “Nobody’s Girl”, ku ajo përshkruan jetën dhe abuzimet që ka përjetuar.
