Shpërthimi i virusit vdekjeprurës Nipah, rrezik nga epidemia: Azia merr masa**
Shpërthimi i virusit vdekjeprurës Nipah në West Bengal të Indisë ka nxitur shqetësime në disa zona të Azisë, duke bërë që të merren masa shtrënguese nëpër aeroporte.
Tajlanda ka shtuar kontrollet e pasagjerëve që vijnë nga West Bengal. Nepali po ashtu ka shtuar kontrollet në aeroportin e Katmandusë dhe pika të tjera lidhëse me Indinë.
Pesë punëtorë shëndetësorë në West Bengal u infektuan me virusin më herët gjatë muajit. Njëri prej tyre është në gjendje kritike. Rreth 110 persona, të cilët ishin në kontakt me ta, janë izoluar.
Virusi mund të shpërndahet nga kafshët te njerëzit dhe ka një shkallë të lartë vdekshmërie – 40-75 për qind – pasi nuk ka vaksinë apo ilaç për ta trajtuar.
Çfarë është virusi Nipah dhe cilat janë simptomat e tij?**
Virusi Nipah mund të transmetohet nga kafshë si derrat dhe lakuriqët e frutave te njerëzit. Mund të shpërndahet edhe nëpërmjet ushqimit të kontaminuar. Te njerëzit, bartet edhe me kontakt direkt me lëngjet trupore të një personi të infektuar.
Ai detektohet përmes testeve që marrin mostra nga kanalet e frymëmarrjes.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka përshkruar Nipah-un ndër dhjetë prioritetet e sëmundjeve, krahas patogjenëve si Covid-19 dhe Zika, kryesisht për shkak të potencialit për të nxitur epidemi.
Periudha e inkubacionit zgjat nga katër deri në 14 ditë. Njerëzit e infektuar shfaqin disa lloje simptomash, ose nganjëherë, asnjë fare.
Simptomat fillestare mund të përfshijnë:
- Ethe
- Kokëdhimbje
- Dhimbje të muskujve
- Të vjella
- Dhimbje fyti
Te disa njerëz, më pas mund të shfaqet përgjumje, lodhje dhe pneumoni. Në raste të rënda mund të ndodhë edhe inflamacion i trurit.
Deri tani, as ilaçe as vaksina nuk janë miratuar për trajtimin e virusit.
