Më pak turistë turq drejt Malit të Zi pas vendosjes së regjimit të vizave
Nga Sërgjan Jankoviq, REL
Shtetasit e Turqisë që dëshirojnë të udhëtojnë drejt Malit të Zi duhet të pajisen me vizë. Për të marrë vizën, ata duhet të dorëzojnë dokumentet personalisht në Ambasadën ose konsullatën e Malit të Zi në Turqi. Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë (REL) nuk ka marrë përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme për kohën e nevojshme për miratimin dhe lëshimin e vizës.
Si pasojë e regjimit të ri të vizave, i cili hyri në fuqi më 30 tetor, është vënë re një rënie e ndjeshme e numrit të udhëtarëve në linjat ajrore nga Turqia drejt Malit të Zi, sipas informacioneve nga aeroportet malazeze dhënë për REL-in.
Në Shoqatën e Mërgimtarëve Malazezë në Turqi, reagimi ndaj vendosjes së regjimit të vizave nga ana e Malit të Zi ka qenë një përzierje befasi dhe zhgënjimi. Anëtarët e shoqatës janë të vetëdijshëm se Mali i Zi, si pjesë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duhet të harmonizojë gradualisht politikën e vizave me vendet anëtare të BE-së, përfshirë edhe Turqinë. Megjithatë, nuk e prisnin që kjo të ndodhte kaq shpejt.
“Na vjen keq që ky proces u përshpejtua pas ngjarjeve të fundit në Mal të Zi. Mendojmë se ky hap mund të ishte bërë në një periudhë kalimtare më të qetë dhe më të arsyeshme, gjë që do të ishte në interes të marrëdhënieve miqësore ndërmjet dy popujve dhe dy shteteve”, tha për REL-in Adil Ozuzun, kryetari i Shoqatës së Mërgimtarëve Malazezë në Turqi.
Edhe Sead Shahman, kryetar i Lëvizjes Demokratike Boshnjake jashtëparlamentare (BDP), i cili mori pjesë së fundmi në takimin e diasporës malazeze në Turqi, shprehu shqetësimin e mërgimtarëve për regjimin e ri të vizave.
“Mërgimtarët presin kushte më të favorshme për hyrjen në Mal të Zi, duke përfshirë kthimin në regjimin pa viza dhe përfitime të caktuara për veprimtarinë e tyre ekonomike në Mal të Zi”, u shpreh ai.
Sipas të dhënave të shoqatave të mërgimtarëve, në Turqi jetojnë rreth gjashtë mijë persona me karta mërgimi të bazuar në origjinën nga Mali i Zi. Gjithashtu, vlerësohet se një numër shumë më i madh shtetas turq, rreth 250.000, kanë prejardhje nga Mali i Zi.
Deri më 30 tetor, shtetasit e Turqisë mund të udhëtonin pa viza në Mal të Zi. Vendimi për vendosjen e vizave të përkohshme u mor pas plagosjes së një qytetari nga Podgorica në një konflikt fizik me persona që policia fillimisht njoftoi se ishin shtetas turq (informacion i cili më vonë rezultoi i pasaktë). Pas kësaj, u regjistruan disa incidente kundër shtetasve turq, duke përfshirë sulme fizike dhe dëmtim të pronave. Shtatë ditë më vonë, policia njoftoi se në përleshje kishin marrë pjesë shtetas të Azerbajxhanit. Megjithatë, ky sqarim nuk ndryshoi vendimin e Qeverisë malazeze për vendosjen e regjimit të vizave.
Shoqata e Mërgimtarëve Malazezë në Turqi po komunikon vazhdimisht me institucionet malazeze, duke kërkuar ruajtjen e së drejtës së hyrjes pa vizë për mërgimtarët. Kryetari Adil Ozuzun theksoi se Turqia mbështet rrugën e Malit të Zi drejt BE-së dhe se deri në vitin 2027, Mali i Zi duhet të zbatojë regjimin e vizave të harmonizuar me Brukselin. Ata megjithatë, presin përjashtime.
“Mendojmë se është e domosdoshme që të paktën personave që kanë kartë mërgimi t’u mundësohet hyrja pa vizë në Mal të Zi. Ata ruajnë lidhjen historike me atdheun dhe kontribuojnë aktivisht në zhvillimin e marrëdhënieve miqësore ndërmjet Malit të Zi dhe Turqisë”, nënvizoi ai.
Ozuzun shtoi se ekzistojnë perceptime të gabuara për Turqinë, për shkak se është një vend kryesisht mysliman ose për shkak të paragjykimeve historike. “Sot Turqia, në asnjë mënyrë, nuk përfaqëson forcë me ambicie pushtuese apo ndikim dominues. Këtë e theksojmë me sinqeritet dhe përgjegjësi”, tha ai.
Ai beson se Mali i Zi në shumë aspekte ka më shumë nevojë për Turqinë sesa e kundërta. Gjithashtu, ai mendon se Turqia, edhe nëse është e pakënaqur me regjimin e ri të vizave, do të mbetet e hapur për qytetarët e Malit të Zi, sidomos për trajtime mjekësore.
Sipas të dhënave të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore të Malit të Zi, gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, mbi një mijë pacientë janë ekzaminuar ose trajtuar në klinika turke, me një kosto rreth gjashtë milionë euro.
Në Mal të Zi aktualisht qëndrojnë rreth 13.400 shtetas turq, të cilët kanë themeluar rreth dhjetë mijë kompani. Vitin e kaluar, Malit të Zi i kanë vizituar mbi 160.000 turistë nga Turqia.
Ambasadori i Turqisë në Mal të Zi, Baris Kalkavan, gjatë vizitës së tij më 2 nëntor në një dyqan të dëmtuar të një shtetasi turk në Bar, përmendi mundësinë që Turqia të vendosë viza për shtetasit e Malit të Zi.
“A pres që të tërhiqet vendimi për futjen e vizave? Nëse nuk merren hapa të caktuar, pala jonë do të jetë e detyruar të ndërmarrë masa të caktuara. Në Turqi jetojnë 250.000 njerëz me prejardhje nga Mali i Zi. Ata do të duhet të mbajnë barrën e kësaj situate”, tha ai.
Ai kujtoi se investimet turke në Mal të Zi gjatë tetë muajve të parë të këtij viti kanë qenë 100 milionë euro. Sipas tij, Turkish Airlines ka transportuar 250.000 udhëtarë në linjat me Malin e Zi në periudhën janar-gusht.
“Nëse kjo vazhdon [regjimi i vizave], nuk e di çfarë do të ndodhë me pacientët që trajtohen në Turqi dhe me malazezët që udhëtojnë përmes Turqisë në vende të tjera”, tha ambasadori.
Sead Shahman vlerëson se masat reciproke do të dëmtonin marrëdhëniet miqësore të dy vendeve.
“Kur shënojmë 146 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe krenohemi me partneritetet tona, do të përballemi me ftohjen e marrëdhënieve, që s’është mirë për asnjërën palë. Do të dëmtohen ekonomia dhe shërbimet, dhe kjo do të reflektohet në buxhet”, nënvizoi ai.
Nga kompania Aeroportet e Malit të Zi thanë për REL-in se kompanitë kryesore që transportojnë udhëtarë nga Stambolli, Air Montenegro dhe Turkish Airlines, nuk kanë anuluar fluturime deri tani, por numri i udhëtarëve ka rënë dukshëm.
“Që prej 30 tetorit – kur shtetasve të Turqisë u kërkohet vizë për të hyrë në Mal të Zi – vihet re rënie e ndjeshme në numrin e udhëtarëve. Kujtojmë se regjistrimin e shtetësisë së pasagjerëve e bën Policia Kufitare”, thanë nga Aeroportet.
Policia Kufitare nuk dha të dhëna specifike për numrin e shtetasve turq që kanë hyrë në Mal të Zi pas futjes së vizave dhe dallimin krahasuar me periudhën pa viza.
Gjithashtu, kompania ajrore me kosto të ulët, Pegasus, anuloi fluturimet ardhje-vajtje mes Ankarasë dhe Izmirit me Podgoricën deri më 29 nëntor. Ata kanë ruajtur linjën Podgoricë – Sabiha Gökçen (Stamboll).
Aeroportet e Malit të Zi theksojnë se deri tani kanë pasur mbi 400.000 udhëtarë në trafikun ajror me Turqinë, që përbën rreth 15 për qind të trafikut total.
