Vjedhje prone në Vlorë: “2A Group” akuzohet, Policia nuk ndërhyn

Denoncimi në Vlorë: Firma “2A Group” dhe Valon Ademi akuzohen për vjedhje prone, policia nuk ndërhyn

Një situatë e pazakontë ka ndodhur në Novoselë të Vlorës, ku shtetasi Ilir Moçka pretendon se firma “2A Group”, e cila po kryen punime për ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, po merr dhe nga prona e tij pa leje.

Sipas një denoncimi të bërë publik nga JOQ, kamionë të kësaj firme kosovare, me administrator shtetasin Kushtrim Krivaqa, kanë shkuar në pronën e Moçkës dhe kanë filluar të ngarkojnë dheun, duke argumentuar se posedojnë një leje të lëshuar nga Bashkia Vlorë.

Nga ana tjetër, Ilir Moçka, i cili është pronar i ligjshëm i tokës sipas dokumentacionit “7501”, deklaron se nuk ka asnjë informacion rreth kësaj lejeje dhe se prona e tij po cënohet.

Përballë këtij zhvillimi, pronarët kanë njoftuar Policinë, por sipas tyre, autoritetet nuk kanë ofruar një zgjidhje konkrete të problemit.

Në pamjet filmike të publikuara, punonjësit e policisë i shpjegojnë pronarit se firma disponon një leje nga Bashkia Vlorë dhe se ata nuk mund të ndalojnë punimet. E vetmja veprim që mund të ndërmarrin, sipas tyre, është marrja e një kallëzimi penal nga ana e pronarit.

Ilir Moçka kërkon një zgjidhje të drejtë të kësaj situate dhe ndalimin e menjëhershëm të abuzimit me pronën e tij.

Në një mesazh dërguar redaksisë së JOQ, denoncuesi shprehet:

  • “Dua të denoncoj një rast vjedhjeje në Novoselë të Vlorës, ku po cënohet toka e Ilir Thoma Moçka. Firma ‘2A grup’ merr dhe pa lejen e pronarit, pasi pretendojnë që kanë marrë një leje nga Bashkia e Vlorës, por pronari i tokës nuk është fare në dijeni, as nga firma që merr dheun, as nga bashkia që ka dhënë lejen.”
  • “Erdhën forcat e Policisë nga Vlora, por nuk i ndaluan punimet. Vetëm i thanë pronarit të bënte një kallëzim në Polici. Po si mund të ndodhë kështu? Vjen policia, po të prishin pronën, nuk ndalon keqbërësit, por detyron pronarin e tokës të bëjë kallëzim dhe kamionët vazhdojnë masakrën në mes të natës.”
  • “Policia pretendon që janë marrë dje dhe kanë leje në rregull firma ‘A2 grup’. Pronari nuk di asgjë! Si mund të merret leje pa miratimin e pronarit, dhe si mund të ndodhë që kur ka konflikt të ndalohet vetëm njëra palë?!”
  • “Mund të gjejmë drejtësi te ky vend, që jemi bërë të ikim natën?”
Scroll to Top