Nancy VanHorn vlerëson Pirro Vengun si partner të fortë të ambasadës, pas shkarkimit nga Rama
Në orët e fundit të detyrës, Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka marrë një vlerësim nga ambasada amerikane në Tiranë, duke u përpjekur të zbusë disi shijen e hidhur të shkarkimit të papritur nga kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar.
Gjatë ceremonisë së dorëzimit të raketave Javelin në Zallherr, e ngarkuara me punë e ambasadës, Nancy VanHorn, i rezervoi një vlerësim të veçantë ministrit të larguar, duke e quajtur një partner të ngushtë të ambasadës.
“Dua të them që jemi të lumtur që të kemi këtu ministrin që ka qenë një partner i fortë i Shteteve të Bashkuara,” u shpreh VanHorn, duke qenë e vetëdijshme se në këto ditë, Vengu po përgatitej të dorëzonte zyrën e tij.
Nuk dihet nëse ky partneritet i ngushtë me ambasadën ka qenë shkak për largimin e Pirro Vengut nga detyra, por kjo nuk do të ishte hera e parë. Më herët, ish drejtori i policisë, Gledis Nano, ka pasur të njëjtin fat, pasi ishte parë me dyshim nga Rama për shkak të afërsisë së tij me ambasadat.
Më herët, Lapsi.al raportoi se gjatë diskutimeve me dyer të mbyllura me deputetët socialistë, Rama foli me përbuzje të dukshme ndaj atyre që i japin më shumë rëndësi lidhjeve me ambasada dhe diplomatët. Ai i cilësoi ata si “deputetë anglishtfolës”.
