Bashkia e Vlorës ka paralajmëruar qytetarët dhe banorët e qytetit se nga data 17 deri në 21 tetor, qyteti bregdetar do të përjetojë reshje shiu dhe stuhi. Përmes një njoftimi zyrtar, bashkia këshillon qytetarët të jenë vigjilentë dhe të respektojnë thirrjet e autoriteteve për çdo situatë. Gjithashtu, u kërkohet drejtuesve të automjeteve të shmangin parkimin në zonat që paraqesin problematika.
Bashkia bën me dije se grupet e punës do të jenë në gatishmëri të plotë për çdo situatë. “Referuar njoftimit të Qendrës Kombëtare për Parashikimin dhe Monitorimin e Rreziqeve Natyrore, nga data 17 deri 21 Tetor, qyteti i Vlorës parashikohet të përfshihet nga reshje shiu mesatare deri lokalisht intensive. Ju lutemi të tregoheni vigjilentë për çdo situatë dhe të respektoni thirrjet dhe këshillat e autoriteteve. Jeni të lutur të shmangni parkimin e automjeteve në zonat që paraqesin problematika. Grupet tona të punës do të jetë në gatishmëri të plotë,” thuhet në njoftim.