Vodafone dhe FSHF, bashkë për transformimin dixhital të futbollit në Shqipëri
Vodafone Albania dhe Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), anëtare e UEFA-s, organizuan një iniciativë të rëndësishme me qëllim projektimin e së ardhmes së tifozëve dhe të futbollit në Shqipëri. Në këtë ngjarje, e para e këtij lloji, u mblodhën ekspertë të teknologjisë, ekipe inovative dhe drejtues të lartë.
Ky “Bootcamp Dixhital”, zhvilluar si pjesë e Spirit Day tremujor të Vodafone Albania, shënon herën e parë që ekipi dixhital i kompanisë bashkëpunon drejtpërdrejt me FSHF-në. Qëllimi është të krijohen zgjidhje praktike teknologjike, që trajtojnë nevojat reale operacionale dhe adresojnë angazhimin e tifozëve me sportin.
Bootcamp-i u fokusua në zhvillimin e zgjidhjeve dixhitale që do të:
- Forcojnë mënyrën se si Federata lidhet me tifozët.
- Përmirësojnë shërbimet e ofruara.
- Rrisin ekosistemin e përgjithshëm të futbollit në Shqipëri.
Prioritetet kryesore përfshijnë platforma për angazhimin e tifozëve, analiza të bazuara në të dhëna, shërbime dixhitale dhe mjete moderne komunikimi, të dizajnuara për t’i afruar mbështetësit me lojën më shumë se kurrë më parë.
Balázs Révész, CEO i Vodafone Albania, u shpreh:
“Kur dy kampionë bashkohen, rezultatet më të mira janë ato që arrihen. Mendoj se pikërisht këtë kemi parë sot. Ne jemi sponsor krenar i ekipit kombëtar të futbollit dhe i Federatës Shqiptare të Futbollit, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe përmes ekspertizës dhe teknologjisë dixhitale që Vodafone ofron. Sot pamë një gamë të jashtëzakonshme idesh, që shërbejnë për të përmirësuar përvojën e tifozëve dhe për t’u dhënë atyre mundësinë ta përjetojnë këtë sport fantastik edhe më mirë në të ardhmen, përmes mundësive që jep teknologjia.”
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, theksoi rëndësinë e transformimit dixhital për organizatat moderne sportive:
“Ky ishte një aktivitet shumë i veçantë, shumë i bukur dhe vërtet me rezultat shumë pozitiv. Synimi ishte se si ta përdorim teknologjinë në të mirë të komunikimit, në të mirë të afrimit me tifozët, e që të komunikojmë sa më mirë përmes teknologjisë. Vërtet idetë ishin fantastike; mënyra e zgjedhur se si t’i marrim këto ide nga ekspertë, specialistë dhe punonjës të Vodafone ishte shumë e bukur dhe besoj se pati një produkt që do të na shërbejë. Padyshim që do të elaborohen më tej dhe do të ndërtojmë projektin e plotë të digjitalizimit, të komunikimit të Federatës dhe njerëzve të futbollit, kryesisht me tifozët, që t’i njoftojmë sa më mirë dhe si t’i afrojmë sa më shumë ata me futbollin.”
Në këtë Bootcamp u prezantuan katër ide kryesore:
- Ridimensionimi i website-it dhe aplikacionit të FSHF-së: Për një prani online më moderne dhe funksionale.
- Krijimi i skemës së besnikërisë për fansat e futbollit: Për t’i shpërblyer ata që përdorin aplikacionin e FSHF-së me benefite shtesë.
- Unifikimi i të gjitha sistemeve të menaxhimit të FSHF: Krijimi i një sistemi të vetëm për menaxhimin e fansave, sponsorave, lojtarëve, etj.
- Krijimi i një asistenti dixhital online (Alban): Për t’iu përgjigjur fansave në kohë reale.
Ndër katër idetë e prezantuara, fitues u shpall projekti për ridimensionimin e web-it dhe aplikacionit të FSHF-së.
Duke ndërthurur ekspertizën e kompanisë lider në teknologji në Shqipëri me vizionin e institucionit drejtues të futbollit në vend, kjo iniciativë demonstron si dy aktorë kryesorë mund të bashkëpunojnë për të çuar përpara të ardhmen e futbollit shqiptar.
Vodafone Albania vazhdon të investojë në inovacion, cilësinë e rrjetit dhe zgjidhje dixhitale që fuqizojnë institucionet, bizneset dhe qytetarët, duke forcuar rolin e saj si katalizator i progresit dixhital në Shqipëri.
