Die. Sht 23rd, 2018

Vokshi: Rama pastron paratë e drogës me firmën “Fusha”

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi doli sot në një konferencë për shtyp, ku akuzoi sërish qeverinë dhe bashkinë e Tiranës, se po realizon afera korruptive me kompaninë “Fusha Sh.p.k”, e cila pritet të marrë përsipër ndërtimin e Teatrit Kombëtar.

Sipas saj, kjo kompani ka marrë pa garë 127 tendera publikë, me vlerën e 80 milionë eurove, ndërsa së fundi, qeveria dëshiron t’i japë edhe rreth 8500 metra katrorë tokë, në zonën e Teatrit Kombëtar.

“Subjekti “Fusha” ka marrë pa garë ndërtimin e sheshit “Skënderbej”, që mbyti veten, bashkinë e Tiranës dhe Bibliotekën Kombëtare, si dhe parkingun e këtij sheshi. Kjo kompani ka marrë së fundi edhe hidrocentralin e Kalivaçit, nëpërmjet një skeme tërësisht korruptive, ndërsa tashëm Edi Rama dëshiron t’i japë edhe 8500 metra katrorë tokë, që i përkasin Teatrit Kombëtar”, deklaroi Vokshi.

Deputetja e Partisë Demokratike theksoi se ky subjekt politik do të vijojë të denoncojë aferat korruptive të qeverisë, bashkisë së Tiranës dhe kësaj kompanie, që sipas Vokshit, shërben për pastrimin e parave të drogës dhe krimit të organizuar.

Albana Vokshi theksoi se Rama po shfrytëzon mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa tha se PD mbetet e angazhuar maksimalisht për të mbrojtur Teatrin Kombëtar nga shembja.

“Edi Rama ka nxjerrë jashtë loje Gjykatën Kushtetuese dhe po e shfrytëzon maksimalisht mungesën e funksionimit të saj. Por ai ka harruar t’i bëjë llogaritë me popullin dhe qëndresën e tij. Ne do të mbrojmë me çdo kusht Teatrin Kombëtar, nga zhvatja prej mafias në pushtet”, deklaroi deputetja e PD-së.

InfoPasqyra/tch

Kategori