Pas 20 vitesh, zbulohet autori i vrasjes brutale të 35-vjeçares
Policia e Sussex njoftoi se ka identifikuar personin që besohet të jetë përgjegjës për vrasjen e 35-vjeçares Jennifer Keeley. Ajo u gjet e pajetë në një strehë bregdetare në Eastbourne më 22 janar 2005. Trupi i saj kishte shenja të shumta plagësh nga thika, një plagë me armë zjarri në pjesën e pasme të kokës dhe ishte pjesërisht i djegur.
Hetuesit gjetën në vendngjarje një bisht cigareje me një profil të plotë gjenetik. Ky profil përkonte me gjurmët e ADN-së së gjetura në trupin dhe gjakun e Jennifer. Megjithatë, në atë kohë, profili nuk përputhej me asnjë të dhënë në bazat e të dhënave shtetërore.
Dy persona u arrestuan në vitin 2005, por u liruan për mungesë provash. Pas rifillimit të hetimeve vitet e fundit, policia përdori metoda të avancuara të analizës së afinitetit të ADN-së, të cilat nuk ishin të disponueshme në vitin 2005. Këto metoda i mundësuan hetuesve të identifikonin të afërm të personit misterioz.
Në verën e vitit 2024, një mostër ADN-je nga një burrë në Anglinë veriore solli “pjesën e fundit të enigmës”. I dyshuari u identifikua si Keith Doubekin, i njohur gjithashtu si Keith Black ose Keith Broadbent. Ai ishte nga Anglia Veriperëndimore dhe kishte vdekur në vitin 2014 në moshën 60-vjeçare.
Policia tha se Doubekin kishte lidhje me komunitetin e të pastrehëve në Eastbourne, ashtu si edhe Jennifer Keeley, gjë që përforconte pistën hetimore. Sipas DCI Simon Dunn, Doubekin ishte arrestuar në dy raste të ndara për përdhunim në vitet 2003 dhe 2004. Megjithatë, në atë periudhë, ADN-ja merrej vetëm nga personat e akuzuar zyrtarisht, jo nga ata të thjesht arrestuar, gjë që e pengoi lidhjen e tij me provat e gjetura në vendin e vrasjes.
Ai kishte dhënë gjithashtu ADN si dëshmitar në një rast tjetër vrasjeje, por për shkak se nuk ishte i dyshuar, profili i tij nuk u fut në bazën kombëtare të të dhënave. Në vitin 2018, përdorimi i teknologjive të reja të afinitetit gjenetik i lejoi Policisë së Sussex-it të ngushtonte rrethin e personave të mundshëm, derisa u arrit te identifikimi i Doubekin.
Policia tha se vendimi për publikimin e identitetit të të dyshuarit u mor për shkaqe të “interesit të jashtëzakonshëm publik”, ashpërsisë së krimit dhe mundësisë që emri i tij të ndihmojë në zgjidhjen e rasteve të tjera të pazgjidhura. Nuk ka persona të tjerë të kërkuar në lidhje me vrasjen e Jennifer Keeley.
Reagimi i familjes
Familja e Jennifer e mirëpriti zgjidhjen e çështjes pas dy dekadash. “Nëna jonë ishte e sjellshme, qesharake, krijuese, dikush që e donte muzikën dhe kujdesej shumë për të tjerët,” thanë ata në një deklaratë. Ata shtuan se dhimbja e humbjes së saj kurrë nuk do të zhduket.
“Shpresojmë që historia e saj të sjellë më shumë mirëkuptim për ata që përjetojnë mungesë strehimi dhe për stigmën që rrethon shëndetin mendor,” vijuan ata.
