Vrasja e 47 ushtarëve në operacionin e kapjes së Maduros

Të paktën 47 ushtarë u vranë gjatë operacionit për kapjen e Maduros, mes tyre edhe nëntë gra

Të paktën 47 anëtarë të Forcave të Armatosura Kombëtare Bolivariane të Venezuelës humbën jetën më 3 janar, gjatë një operacioni ushtarak amerikan që çoi në kapjen e Presidentit Nicolás Maduro dhe bashkëshortes së tij. Këtë e njoftoi të premten Ministri i Mbrojtjes i Venezuelës, Vladimir Padrino López.

Në një deklaratë të transmetuar nga televizioni shtetëror, Padrino López tha se mes 47 viktimave ishin edhe nëntë gra. Ai e përshkroi sulmin si një akt agresioni kundër forcave venezueliane, të cilat u përballën me “teknologji dhe burime të jashtëzakonshme”.

Qeveria më parë kishte njoftuar një shifër më të lartë të viktimave – rreth 83 të vdekur, duke përfshirë edhe 32 ushtarë kubanë që shërbenin si pjesë e njësive të sigurisë së Presidentit Maduro, sipas ministrit të mbrojtjes.

Autoritetet kubane njoftuan gjithashtu kthimin e trupave të 32 ushtarëve të tyre në Kubë, ku u nderuan në ceremoni kombëtare. Qeveria Venezueliane ka shpallur shtatë ditë zie kombëtare për viktimat.

Operacioni, që çoi në rrëmbimin e Maduros dhe shoqërimin e tij bashkë me bashkëshorten në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuza federale, ka shkaktuar reagime të ashpra ndërkombëtare, përfshirë protesta dhe tensione diplomatike me aleatët e Venezuelës.

Scroll to Top