Tetë skiatorë humbin jetën nga një ortek në Kaliforni
Tetë skiatorë janë gjetur të vdekur dhe një tjetër rezulton ende i zhdukur, pas një orteku që ra në malet e Kalifornisë veriore, njoftuan autoritetet.
Orteku goditi zonën Castle Peak të Truckee në Kaliforni, rreth 16 kilometra në veri të Liqenit Tahoe, të martën rreth orës 11:30 të mëngjesit sipas kohës lokale.
Ngjarja përfshiu një grup skiatorësh në natyrë. Gjashtë persona u shpëtuan pasi kishin mbetur të bllokuar.
Autoritetet fillimisht ishin në kërkim të nëntë personave të zhdukur të mërkurën në mëngjes sipas kohës lokale, por më pas konfirmuan tetë viktima dhe një person të zhdukur.
“Tetë nga nëntë skiatorët e tjerë janë gjetur të vdekur”, tha sherifi i Qarkut të Nevadës, Shannan Moon. “Ne jemi ende duke kërkuar një nga anëtarët në këtë kohë.”
Zonja Moon shtoi se “kushtet e tmerrshme” dhe rreziku i ortekëve të mëtejshëm kishin penguar përpjekjet e shpëtimit.
