Vrasja e biznesmenit italian në Tepelenë dyshohet të jetë e porositur
Gazeta italiane La Repubblica ka shkruar për vrasjen e biznesmenit italian Edoardo Sarchi në Tepelenë, ngjarje e ndodhur pas dorëzimit të autorit të dyshuar.
Sipas raportimeve të La Repubblica, vrasja e biznesmenit dyshohet të ketë qenë e porositur. Artikulli thekson se natën e ngjarjes, plumbat kanë prekur vetëm Sarchin, baba i dy fëmijëve, ndërsa personat e tjerë të pranishëm nuk janë dëmtuar.
Dinamika e ngjarjes mbetet ende e paqartë, sidomos duke marrë parasysh shumën e madhe të parave të përfshira.
Personi i dyshuar për vrasjen, Kamber Sulçaj, 48 vjeç, është vetëdorëzuar në policinë e Gjirokastrës. Ai kërkohej që prej 29 shtatorit si autor i dyshuar, pasi kishte pasur një grindje me sipërmarrësin dhe bashkëpunëtorët e tij.
Një nga hipotezat për motivin, ende e pakonfirmuar nga autoritetet shqiptare, është ajo e një debati të ashpër mes katër personave për dritat e makinave. Megjithatë, mbetjet e shumta të parave, armët dhe pajisjet e gjetura në banesën e Sulçajt nxisin dyshime për një vrasje me porosi, një skenar ndryshe nga një krim i kryer në gjaknxehtësi.
Akuzat ndaj Sulçajt përfshijnë: “vrasje në rrethana të tjera rënduese”, “mbajtje dhe prodhim të paligjshëm armësh, eksplozivësh dhe municionesh”, si dhe “prodhim e shitje të lëndëve narkotike”.
Mbrëmjen e ngjarjes, Edoardo Sarchi, bashkë me ortakun e tij Eqerem Braçe dhe dy djemtë e këtij të fundit, ishin nisur për gjueti në zonën e Dilanit, në Tepelenë. Hetimet sugjerojnë se Sulçaj, pas një debati të ashpër, ka qëlluar drejt Sarchit, ortakut dhe dy djemve të tij, si dhe drejt automjeteve të tyre. Vetëm Sarchi, i njohur në sektorin e ndërtimit në Varese, Itali, ku drejtonte kompaninë “Tegola Edilcentro”, humbi jetën nga plagët e marra.
Fillimisht, policia sekuestroi dy automjete dhe mori në pyetje tre personat që ndodheshin me Sarchin, si dhe një person të katërt, të cilët më pas u liruan për mungesë provash.
Sulçaj ka dorëzuar pushkën e gjuetisë me tytë të gdhendur, me të cilën dyshohet se ka qëlluar, si dhe lejen për mbajtjen e armës. Pushka dhe leja janë dorëzuar pranë Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës, e cila ka kryer procedurat për kërkesën e arrestit me burg, të urdhëruar nga gjykata në mungesë.