Vrasja e biznesmenit Edmond Mëhalla në Elbasan, dy të akuzuarit lihen në burg.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Xhino Ago dhe Kujtim Pishën, të cilët akuzohen për përfshirje në vrasjen e biznesmenit Edmond Mëhalla.
Vendimi u dha në seancën me dyer të mbyllura nga kryetarja e Gjykatës, gjyqtarja Elis Dine.
Prokuroria e Elbasanit, përmes prokurorit të çështjes Gjergji Ceka, paraqiti kërkesën zyrtare për “vleftësim arresti në flagrancë dhe caktim mase sigurimi” për dy të ndaluarit e parë, Xhino Ago dhe Kujtim Pisha. Kërkesa ishte regjistruar të enjten dhe u shqyrtua të shtunën në sallën e gjyqit, nën praninë e forcave të shumta të sigurisë.
Prokuroria ka depozituar gjithashtu një kërkesë të veçantë për masë sigurie edhe për të arrestuarin e tretë, Nevzat Spaho. Ky i fundit u arrestua pak ditë më parë në Prrenjas dhe dyshohet të jetë ekzekutori i biznesmenit. Seanca për të pritet të mbahet gjatë fundjavës.
