Zbulohet personi i ndaluar për vrasjen e biznesmenit në Elbasan
Raportohen zhvillime të reja nga hetimet për zbardhjen e vrasjes së biznesmenit Edmond Hyka, i njohur si Mondi Mëhalla, në Elbasan, mbrëmjen e 30 nëntorit. Mediat raportojnë se policia ka ndaluar një person të identifikuar si Naldo Gjini, me origjinë nga Lezha.
Sipas të njëjtave burime, personi në fjalë është parë ditët e fundit të qarkullonte me makinën e përdorur nga autorët në ekzekutimin e biznesmenit 43-vjeçar. Pamjet e kamerave të sigurisë në Rrugën e Kombit e kanë fiksuar Gjinin teksa kryente pagesën në traun e autostradës, duke përdorur të njëjtin automjet që më pas u identifikua nga grupi hetimor.
Kontrolle janë ushtruar edhe në banesën e tij në qytetin e Lezhës. Makina tip “Audi”, e përdorur nga autorët, u gjet të mëngjesit të sotëm e djegur në Mirakë.
Mondi Mëhalla u vra mbrëmjen e së dielës para biznesit të tij. 43-vjeçari u qëllua menjëherë sapo u fut në makinë.
Policia nuk ka dhënë ende asnjë deklaratë zyrtare për ndalimin e Gjinit. Më herët, disa persona të tjerë janë shoqëruar dhe janë pyetur për rrethanat e ngjarjes.
