Vrasja e çiftit rus me 500M$ kriptomonedha në Dubai

Rusi dhe gruaja e tij gjenden të vdekur në Emiratet e Bashkuara Arabe pasi u zhdukën me 500 milionë USD në kriptomonedha

Roman Novak, themeluesi i një platforme kriptomonedhash nga Shën Petersburgu, dhe gruaja e tij Anna u gjetën të vdekur në Emiratet e Bashkuara Arabe. Familja e tyre raportoi zhdukjen e çiftit rreth një muaj më parë, kur nuk po arrinte t’i kontaktonte.

Sipas faqes ruse të internetit “Fontanka”, çifti u vra në një vilë me qira në rajonin Hatta, pranë kufirit me Omanin. Ata u joshën atje me pretekstin e takimit me investitorë potencialë.

Motivi kryesor i krimit duket të jetë zhvatja. Roman Novak ishte i njohur për krijimin e platformës “Fintopio”, e cila ofronte transferta të shpejta kriptomonedhash. Ai kishte arritur të tërhiqte rreth 500 milionë dollarë investime përpara se të zhdukej bashkë me paratë. Si pasojë, punonjësit e tij mbetën pa paguar, ndërsa investitorët, përfshirë biznesmenë kinezë dhe nga Lindja e Mesme, humbën paratë e tyre.

Për të tërhequr investitorë, Novak kishte pretenduar se kishte lidhje me princat arabë dhe themeluesin e Telegram, Pavel Durov, megjithëse Durov mohoi të kishte njohje me të.

Në nëntor 2020, Novak u dënua me 6 vjet burg për përvetësim të 100.000 dollarëve nga partneri i tij.

Autorët dyshohet se kërkuan të fitonin akses në portofolin e kriptomonedhave të Novak, në të cilin besonin se ruheshin miliarda dollarë. Megjithatë, portofoli rezultoi të ishte bosh. Pas kësaj, çifti u vra dhe trupat e tyre u copëtuan. Pjesët e trupit u gjetën në qese të ndryshme pranë një qendre tregtare në rajonin Hatta.

Autoritetet ruse njoftuan se kishin hapur një çështje penale për vrasje. Sipas tyre, çifti u nis më 2 tetor për t’u takuar me “investitorë të panjohur” në rajonin Hatta. Shoferi i la ata pranë një liqeni, nga ku hipën në një automjet tjetër dhe u larguan. Që atëherë, çifti nuk është parë më.

Sipas “Fontanka”, policia ka arrestuar 8 persona për këtë rast, të paktën 3 prej të cilëve janë nga Shën Petersburgu.

Scroll to Top