Vrasja e Liridona Ademit: SMS, borxhe dhe sigurimi jetësor

Vrasja për sigurimin e jetës: SMS-i i Naim Murselit me vrasësin e Liridona Ademit

Është mbajtur sot seanca gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademit, kryer nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli. Gjatë seancës janë zbuluar prova të reja që lidhin Murselin me ekzekutorin, Granit Plavën.

Prokurorja e çështjes, Javorka Perlinçeviq, ka prezantuar komunikimet mes Naim Murselit dhe Granit Plavës disa ditë para vrasjes. Ajo ka paraqitur prova se si në natën e vrasjes, Granit Plava ndodhej në të njëjtin restorant me Naim Murselin dhe familjen e tij.

Prokurorja ka theksuar se komunikimet mes Plavës dhe Murselit janë zhvilluar përmes platformës WhatsApp, duke filluar nga data 23.11.2023, rreth orës 18:33 dhe duke vijuar deri më 29.11.2023, ditën e vrasjes.

“Dhe prova tjetër është, për thirrjet telefonike nga telefonat e të pandehurit nga Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, të cilët kanë qenë të qasshme, pasi të gjithë e dimë që dy telefona të Naim Murselit dhe të te ndjerës Liridona Murseli. janë zhdukur në mënyrë misterioze atë natë kur ka ndodhur rasti. Në WhatsApp, janë gjetur kontaktet ndërmjet Granit Plavës dhe të të pandehurit Naim Murseli dhe sipas provave të gjetura, ata kanë qenë duke komunikuar nga 23.11.2023 rreth orës 18:33 dhe kanë vazhduar me ditë të tëra deri më 24.11.2023, 25.11.2023, 26.11.2023, 27.11.2023 dhe në datën e ndodhjes së vrasjes më 29.11.2023,” ka thënë prokurorja.

Ajo ka lexuar një SMS të dërguar nga Naim Murseli për Granit Plavën, datë 29.11.2023: “shok, sigurisht kryhet nesër, a të ka thënë shtëpia për paradite”. Pas këtij mesazhi, ka pasuar edhe një thirrje telefonike, ku biseda e fundit mes tyre ka zgjatur 28 sekonda, përmes WhatsApp, më 29.11.2023 në orën 19:01.

Më tej, prokurorja ka shtuar se kamerat e sigurisë nga restoranti “Etnokuqa” në Graçanicë, tregojnë se Naim Murseli me familjen dhe Granit Plava kanë qenë të ulur në tavolina të ndryshme, por të pranishëm në të njëjtin vend. Pas largimit nga restoranti, Granit Plava e ka pritur Naimin me familjen dhe më pas i ka përcjellë.

Gjatë vrasjes së Liridona Ademajt është gjetur edhe gëzhoja e plumbit, e cila do të administrohet si provë.

Prokurorja ka zbuluar edhe shumën e borxheve që kishte Naim Murseli. Sipas analizës së bërë në mars 2024, borxhet e tij ndaj institucioneve financiare arrinin në 369,968.77 euro, ndërsa borxhet ndaj personave fizik ishin 106 mijë euro, duke arritur në total 475,968.77 euro.

Lidhur me sigurimin jetësor të Liridonës, prokurorja ka prezantuar përgjigjen nga organet kompetente të Suedisë, ku rezulton se ajo kishte një sigurim jetësor me fillim vlefshmërie më 25 qershor 2022, në vlerën prej 3 milionë krona suedeze (rreth 272 mijë euro). Sipas ligjit suedez, në rast të mungesës së trashëgimtarëve, përfitues i sigurimit do të ishte bashkëshorti.

Scroll to Top