Vrasja e Mondi Mëhallës: Autorët ikin me Audi, hetimet vijojnë

Autorët ikën me Audi drejt Librazhdit: Hetimet për vrasjen e Mondi Mëhallës vijojnë

Kanë dalë detaje të reja në lidhje me ekzekutimin e biznesmenit Mondi Mëhalla, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së dielës në qytetin e Elbasanit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:35. 43-vjeçari sapo kishte dalë nga karburanti “Xhaxhi Oil”, në pronësi të tij, i cili ndodhet në unazën jugore të qytetit, dhe ishte futur në automjetin e tij tip “Range Rover”.

Menjëherë, dy persona iu janë afruar dhe kanë hapur zjarr drejt tij. Për shkak të plagëve të marra në kokë, viktima ka humbur jetën në vendngjarje.

Më pas, autorët janë larguar me një automjet tip “Audi” ngjyrë të zezë, në drejtim të aksit rrugor Elbasan – Librazhd.

Policia po heton disa pista për këtë ngjarje. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se po verifikohen konfliktet aktuale që mund të ketë pasur viktima, si dhe ngjarjet e kaluara.

Mësohet se Mëhalla, i njohur edhe si Edmond Hyka, ishte i skeduar dhe i proceduar më parë për shpërndarje narkotikësh dhe armëmbajtje pa leje. Ai kishte disa biznese në Elbasan, përfshirë karburante dhe një kompani për shërbime taksie.

Scroll to Top