Vrasja e Nikulajt: Gjakmarrja Shqiptare në Mediat Britanike

Titulli: Nikulaj u ekzekutua në një bar buzë detit! The Sun: Gjakmarrja e ftohtë shqiptare

Vrasja e biznesmenit dhe politikanit shqiptar Ardian Nikulaj në prill të vitit 2023 ka shkaktuar reagime të shumta në mediat britanike. Ky atentat po hetohet nga autoritetet britanike, të cilat po punojnë për ekstradimin e personave të akuzuar si pjesëmarrës në këtë vrasje.

Ngjarja ka rrënjë në një konflikt midis dy familjeve në Lezhë, Nikulaj dhe Lekstakaj, që daton nga viti 1997. Gjatë viteve, ky konflikt ka rezultuar në disa viktima nga të dyja palët. Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj në prill 2023 u cilësua si “kapitulli” i radhës i kësaj gjakmarrjeje.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë një person që hyn në një bar buzë plazhit në Shqipëri dhe qëllon shtatë herë me pistoletë biznesmenin Ardian Nikulaj. Sipas gazetës, e gjithë ngjarja ka ndodhur në një rajon të largët të Shqipërisë veriore, ku një kod i lashtë hakmarrjeje ende mbizotëron.

Vrasja e Ardian Nikulajt konsiderohet unike në historinë e saj të gjatë dhe të përgjakshme, pasi për herë të parë dyshohet se është rekrutuar një ekip i huaj me ekzekutorë të dyshuar nga Britania. Ndërsa policia në Shqipëri shpreh shqetësim për këtë “gjakderdhje”, faza tjetër e kësaj lufte midis dy familjeve po zhvillohet në gjykatat e Mbretërisë së Bashkuar, ku të akuzuarit po kundërshtojnë ekstradimin në Shqipëri për gjykim.

Gazeta “The Sun” ka udhëtuar drejt Shqipërisë për të ndjekur gjurmët e ekipit të dyshuar të ekzekutorëve në ditët dhe orët para vrasjes. Familjarët e Ardianit kanë paraqitur gjithashtu dosjen e tyre me prova, duke pretenduar se vërtetojnë kush fshihet pas vrasjes së tij brutale. Ata kanë shprehur gjithashtu frikën se vrasja nuk ka përfunduar, pasi vëllait të Ardianit i është komunikuar se ka një shpërblim prej 1.7 milion paundësh për “kokën e tij”, ndërsa kundërshtarët në Mbretërinë e Bashkuar po kërkojnë një vrasës me pagesë për të marrë përsipër këtë kontratë.

Rudina, e veja e Ardianit, 49 vjeç, ka deklaruar për “The Sun”: “Vrasjet duhet të ndalen, kanë ndodhur shumë gjëra. Ne duam drejtësi për Ardianin dhe po i lutemi Mbretërisë së Bashkuar të bëjë gjënë e duhur dhe t’i dërgojë këtu ata njerëz të dyshuar për këtë krim, që të përballen me gjyqin. Por edhe gjakderdhja duhet të marrë fund. Shumë fëmijë kanë mbetur pa baba.”

Scroll to Top