Vrasja e Flori Paluçit në Manzë, i kërkuar në Itali për plagosje të dyfishtë
Flori Paluçi, 33-vjeçari që humbi jetën në Manzë të Durrësit pas një konflikti për një kafe, rezulton të jetë kërkuar në Itali për tentativë vrasjeje të dyfishtë në Perugia. Ky informacion u bë publik nga mediat italiane.
Sipas mediave italiane, Paluçi ishte nën hetim nga Prokuroria e Perugias për një ngjarje të ndodhur më 19 qershor pranë një bari në zonën e Vernës, Umbertide. Në atë ngjarje, dy persona mbetën të plagosur rëndë pas një shkëmbimi zjarri. Hetimet në Itali sugjeruan se ngjarja kishte lidhje me përplasje për çështje droge. Pas atentatit, 33-vjeçari, i njohur më parë nga policia, ishte arratisur dhe për muaj me radhë kishte qenë i paidentifikueshëm.
Fundi i arratisjes nga Umbertide në Durrës
Arratisja e Paluçit mori fund në orët e vona të mbrëmjes mes 21 dhe 22 tetorit, kur në Manzë të Durrësit ndodhi një tjetër përplasje me armë para një karburanti. Referuar raporteve nga Shqipëria, mediat italiane raportojnë se ngjarja filloi për një kafe. Një 23-vjeçar, i ulur në një lokal me një mik, kërkoi një kafe ekspres, por kamarieri nuk mundi ta shërbente pasi aparati ishte fikur. Kjo shkaktoi një debat të ashpër, në të cilin ndërhyri edhe Flori Paluçi. Sipas hetimeve paraprake, Paluçi dyshohet se qëlloi me armë drejt 23-vjeçarit, duke e lënë të vdekur në vend. Në atë moment, miku i viktimës reagoi, nxori armën dhe qëlloi drejt Paluçit, duke e vrarë atë gjithashtu.
Autori i dyshuar për vrasjen e Flori Paluçit është aktualisht në kërkim nga policia shqiptare. Hetimet janë duke vijuar për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të përcaktuar rrethanat e konfliktit fatal.
Dinamika e ngjarjes në Shqipëri
Hetimet paraprake kanë zbuluar se shtetasi Daniel Pepa ka hyrë në lokal dhe për motive të dobëta është konfliktuar verbalisht me kamerierin dhe me shtetasin Flori Paluçi (i cili shoqërohej nga disa persona, përfshirë të arrestuarin Erald Cani).
Pas konfliktit verbal, Daniel Pepa u largua me automjet, por u kthye menjëherë i shoqëruar nga shtetasi Ergi Kadiu dhe Aranit Kurti. Ndërsa tre personat tentuan të hynin në lokal, nga brenda doli Flori Paluçi, i cili dyshohet se qëlloi me armë zjarri në drejtim të tokës. Në këtë moment, Daniel Pepa dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri drejt Flori Paluçit, duke e plagosur. Pas kësaj, Paluçi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri drejt Daniel Pepës dhe Aranit Kurtit (i cili dyshohet se e ka goditur Florin Paluçin me grusht në fytyrë).
Si pasojë, humbën jetën shtetasit Flori Paluçi dhe Aranit Kurti.
Më tej, hetimet dyshojnë se shtetasi G. A. është larguar nga vendngjarja së bashku me Daniel Pepën.
Kërkime intensive po vijojnë për kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së Flori Paluçit, shtetasin Daniel Pepa, si dhe për shtetasin e shpallur në kërkim, G. A.
