Dyshohet se vrau Jani Aliajn, zbardhet dosja e rëndë kriminale e Juliand Halilit
Hetimi për vrasjen e 49-vjeçarit Jani Aliaj, një person me precedentë të rëndë penalë, i cili u gjet i vrarë disa ditë më parë në zonën G’ të burgut të sigurisë së lartë në Korydallos, po merr një kthesë të re.
Fillimisht, një i dënuar grek u paraqit duke deklaruar se ishte autori i vrasjes. Megjithatë, autoritetet helene po shqyrtojnë seriozisht skenarin që vrasësi i vërtetë të jetë një tjetër i burgosur me origjinë shqiptare, identiteti i të cilit është Juliand Halili (44 vjeç), i njohur gjithashtu si Xhuliano Halili ose Niko.
Policia greke e cilëson Halilin si një nga kriminelët më të rrezikshëm, të lidhur me disa vepra të rënda penale në territorin grek. Ai akuzohet për të paktën katër vrasje, një tentativë vrasje dhe po hetohet edhe për vrasjen e fundit brenda burgut të Koridhalos.
Halili dyshohet se ka vepruar në disa raste nën urdhrat e kriminelit të famshëm grek Vasilis Varelas, i cili konsiderohet si një nga figurat kyçe të krimit të organizuar në Greqi, i përfshirë në trafikun e drogës dhe krime të tjera të rënda.
Sipas hetimeve, nën drejtimin e Varelas, Halili mori pjesë në ngjarje kriminale të rënda që nga viti 2008:
- 6 mars 2009 – Në Nea Filadelfia, Halili qëlloi dy herë në kokë dhe një herë në gjoks ish-burrin e gruas së Varelas. Viktima mbijetoi pas disa operacioneve.
- 5 gusht 2009 – Në Igumenicë u organizua një atentat i dytë ndaj të njëjtit person, por autori nuk arriti të qëllonte pasi arma u bllokua.
- 11 nëntor 2008 – Në Mikromani të Kalamatës u vra me armë zjarri 29-vjeçari Sotiri Psikopaida, punonjës i një diskoje, i qëlluar katër herë, përfshirë një plumb në kokë.
- 29 nëntor 2011 – Nën urdhrat e Varelas, Halili ekzekutoi 35-vjeçarin Fillim Mesaja dhe djalin e tij 2.5 vjeç, Oligert Mesaja, pranë lumit Pamiso në Mesinia. Fillimi u qëllua me çifte në kokë, ndërsa fëmija u dhunua më pas. Ngjarja lidhej me larje hesapesh mes Varelas dhe Mesajës.
Në vitin 2018, Halili u arratis nga Porti i Pireut gjatë transferimit drejt burgut, bashkë me të dënuarin Alfons Ndoci. Të dy u kapën sërish brenda pak kohësh nga autoritetet.
Ngjarja e fundit që tronditi opinionin publik ndodhi në qershor 2024, brenda burgut të Koridhalos, ku Halili vrau të burgosurin 35-vjeçarin Alfons Ndoci dhe plagosi 48-vjeçarin Altin Vokrri. Hetimet e autoriteteve greke tregojnë se vrasja e Ndocit dyshohet se ishte porositur nga jashtë burgut dhe për një shpërblim financiar.
