“`html
U vra në Elbasan, si e shpëtoi e ëma Mond Hykën nga burgu
Mond Mëhalla, i njohur edhe si Mond Hyka, i cili humbi jetën ditën e djeshme (e diel) pas plagëve të marra nga tre plumba në oborrin e karburantit të tij “Xhaxhi Oil”, ishte dënuar në Tetor 2025 me 1 vit burgim për akuzën e “Prodhimit dhe mbajtjes të armëve të ftohta”. Megjithatë, falë gjykimit të shkurtuar, gjyqtari i Elbasanit Elis Dine, vendosi ta ulë dënimin në 8 muaj burgim. Kjo kohë u pezullua dhe u zëvendësua me 16 muaj provë, gjatë së cilës ai duhej të mbante kontakt me shërbimin e provës dhe të mos kryente asnjë vepër penale.
Viktima, i regjistruar në Elbasan, u dënua vetëm për posedimin e një thike të madhe luftarake me dorezë të zezë, dy fishekë luftarakë dhe një shkop gome të zi, të ngjashëm me ata të policisë. Ndërkohë, për një armë zjarri tip “TAURUS”, kalibër 9mm, prodhim Brazilian, ai u lirua nga përgjegjësia penale. Kjo ndodhi pasi nëna e tij, Fatmire Mëhalla, mori përsipër autorësinë e armës.
Fatmire Mëhalla fillimisht deklaroi në polici se arma e gjetur në banesën e saj i përkiste djalit. Por disa muaj më vonë, në një dëshmi të dytë, ajo deklaroi se pistoleta i përkiste të shoqit të ndjerë, duke shtuar se nuk dinte që sendi i paligjshëm ishte ende në banesë. Ky qëndrim i ndryshuar nga i pari solli lirimin e Mond Mëhallës nga përgjegjësia penale, por çoi në ndjekje penale të nënës së tij, Fatmira Mëhalla. Ajo u dënua me 1 vit burgim për akuzën e “Prodhimit dhe mbajtjes të armëve të zjarrit dhe municionit”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Fatmira Mëhalla u dënua me 8 muaj burgim, të cilat u pezulluan dhe u zëvendësuan me 16 muaj shërbim prove.
Sipas dosjes hetimore të siguruar nga gazetari Elton Qyno, armët dhe sendet e tjera të paligjshme u gjetën në banesën e nënës dhe në biznesin e Mond Mëhallës pas dyshimeve se ai ishte i implikuar në tregtinë e kokainës në Elbasan dhe jo vetëm. Bazuar në këto dyshime, më 20 janar 2024, gjykata e Elbasanit ka lejuar kontrollin e banesave dhe automjeteve të Mond Mëhallës.
Gjatë kontrollit të banesës së nënës së tij, Fatmirë Mëhalla, në dhomën e gjumit të djalit, u gjet një çantë me një pistoletë “Brazil” dhe 7 fishekë. Gjithashtu u sekuestruan një pasaportë dhe një kartë identiteti Sllovene të falsifikuara, me emrin Cvelto Smerekov, si dhe një lejë qëndrimi Gjermane. Në biznesin e Mond Mëhallës, “Xhaxhi Oil”, në zyrën administrative u gjetën 21.000 euro. Në katin e dytë të zyrave u gjetën thika luftarake, dy fishekë dhe shkopi i gomës. Vetë Edmond Mëhalla nuk u kap gjatë kontrolleve.
Dy ditë pas kontrolleve, më 22 janar 2024, nëna e tij, Fatmirë Mëhalla, u pyet si person që ka dijeni për veprën penale. Ajo deklaroi se jetonte e vetme pas vdekjes së bashkëshortit dhe se djali i saj nuk jetonte në atë banesë. Ajo nuk kishte dijeni për armën që gjendej aty.
Rreth 20 ditë më vonë, Fatmirë Mëhalla u paraqit vetë në polici duke dhënë një deklarim të kundërt, ku pretendonte se arma i përkiste të shoqit të ndjerë dhe se ajo mendonte se arma ishte me leje. Ajo deklaroi se arma mund të jetë vendosur aty nga bashkëshorti i saj gjatë kohës që ishte gjallë, dhe ajo nuk kishte dijeni për praninë e saj.
Mond Mëhalla, gjatë një pyetjeje si person që ka dijeni për veprën penale, deklaroi se thikën dhe shkopin e gomës i kishte blerë si relikë dhe si zbukurim për zyrat e karburantit, duke mohuar të dinte që ishin të paligjshme.
Lidhur me dokumentet sllovene të falsifikuara, një person i identifikuar si A.B. deklaroi se i kishte siguruar përmes një personi në Tiranë, duke kontaktuar nëpërmjet internetit dhe duke paguar 3000 euro, pasi mendonte se ishin të rregullta. Megjithatë, ekspertimi provoi se dokumentet ishin plotësisht të falsifikuara.
“`
