Vrasja e 23-vjeçarit shqiptar në Itali, ende asnjë i arrestuar
Në lidhje me përleshjen në Perugia, ku mbeti i vrarë 23-vjeçari shqiptar, Hekuran Cumani, disa të rinj janë regjistruar si të dyshuar. Viktima u godit me thikë në gjoks në një parking pranë universitetit.
Sipas mediave lokale, të rinjtë e përfshirë në ngjarje u morën menjëherë në pyetje në stacionin e policisë dhe u përfaqësuan nga avokatë. Autoritetet po e trajtojnë incidentin si një sulm dhe kërcënim të dyshuar, ndërsa shkaku i saktë i përleshjes mbetet ende i paqartë. Ngjarja shpërtheu pas një feste në një klub pranë vendit ku u gjet i vdekur i riu.
Hetimet e policisë së Peruxhias konsiderohen komplekse, sidomos pasi anëtarët e dy grupeve që u përfshinë në përplasje nuk njiheshin mes tyre. Skuadra Fluturuese po përpiqet të grumbullojë provat për të zbardhur të vërtetën dhe për të identifikuar personin që shkaktoi goditjen fatale me thikë.
Vendi i ngjarjes, një parking para Departamentit të Matematikës të Universitetit të Peruxhias, nuk është i pajisur me kamera mbikëqyrëse. Kamerat e pakta brenda ndërtesës nuk kanë dhënë prova të dobishme për hetimin.
Hetuesit intervistuan gjithashtu vëllain e viktimës, i cili ishte plagosur lehtë, por nuk dha ndonjë informacion vendimtar. Thika e përdorur për të therur Cumanin mungon ende.
Hetimi tregon se përplasja filloi brenda klubit të natës dhe u përshkallëzua jashtë në një konflikt fatal. Përleshja ka nisur për “çështje të parëndësishme” midis dy grupeve: një grup i përbërë nga të rinj nga rajoni i Marche-s dhe tjetri nga të rinj italianë të gjeneratës së parë dhe të dytë nga Perugia. Ata nuk njiheshin më parë dhe nuk kanë lidhje me organizata kriminale.
Hetimet pohojnë se asnjëri grup nuk zotëronte thikën, e cila dyshohet se u soll nga një person i përfshirë më vonë nga grupi perugian.
