Biznesmeni italian u ekzekutua/ Gjykata cakton ‘burg pa afat’ për autorin
Gjykata e Shkallës së Parë të Gjirokastrës ka caktuar masën e sigurisë ‘burg pa afat’ për Kamber Sulçen, i akuzuar për vrasjen e biznesmenit italian Eduardo Sarchi.
Fillimisht, prokurorja e çështjes, Blerina Musabelli, ka paraqitur aktet me të cilat grupi hetimor ka mbledhur prova në vendngjarje dhe më pas ka shpjeguar të gjitha rrethanat që lidhen me këtë ngjarje, deri në momentin e vetdorëzimit të autorit.
Më pas, avokati i Sulçës, Arsenal Zotaj, ka paraqitur në seancë, ndër të tjera, edhe faktin e vetdorëzimit të klientit të tij tre ditë më parë, duke theksuar se kjo është një rrethanë lehtësuese që mund të merret në konsideratë nga kryesuesja e seancës.
Pas dhënies së vendimit, avokati i të pandehurit është shprehur se do ta ankimojë atë në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Ndërsa vetë Sulçaj nuk ka folur gjatë gjithë seancës së vlerësimit të masës së arrestit.