**Vrasja e një shqiptari në Greqi, policia kërkon dëshmitë e familjarëve**
Oficerët dhe prokurorët që po hetojnë vrasjen brutale të një 27-vjeçari shqiptar, i cili u gjet i karbonizuar dhe me pranga në sediljen e pasme të një makine në Skourta të Viotisë, Greqi, më 7 nëntor, po përpiqen të rindërtojnë ngjarjen dhe të zbulojnë motivin e autorët.
Deri më tani, arsyet e krimit nuk janë sqaruar. Policia po shqyrton mundësinë e një motivi pasioni, duke marrë parasysh se viktima, i identifikuar si Sulo Halili nga Beçishti i Tepelenës, nuk duket të jetë përfshirë në aktivitete të paligjshme. Megjithatë, një ish-partner i një vajze me të cilën 27-vjeçari dyshohet se ishte në një lidhje, e kishte kërcënuar atë në të kaluarën.
Të afërm të viktimës, së bashku me avokatin e tyre Alexandros Papaioannidis, pritet të paraqiten sot në polici për të dhënë dëshmi dhe prova që mund të ndihmojnë në sqarimin e çështjes. Identifikimi i viktimës u bë falë analizës së ADN-së, me kampionin biologjik të marrë nga një nga të afërmit.
Tezja e viktimës ishte e para që dha informacion rreth një konflikti të vjetër dhe kërcënimit ndaj 27-vjeçarit. Të afërmit do të japin dëshmi plotësuese për të ndihmuar hetuesit të zbardhin krimin. Gjithashtu, do të verifikohen të gjitha mesazhet dhe telefonatat e fundit të viktimës, familjarëve dhe personave të tjerë.
Duket se autorët, pasi kanë qëlluar 27-vjeçarin, e kanë vendosur trupin në sediljen e pasme të një makine të vjedhur dhe e kanë djegur për të fshirë gjurmët. Në trup u gjet edhe një pjesë metalike, e cila dyshohet se i përket predhës së plumbit.
Halili u identifikua me analizën e ADN-së dhe rezultoi të ishte shpallur i zhdukur që më 4 nëntor nga familjarët. Ai u kishte telefonuar duke u thënë se do të kthehej pasi të mbaronte punën. Një mik i tij gjithashtu u njoftua pas ndarjes së tyre se ai do të shkonte në punë.
Makina në të cilën u gjet trupi ishte vjedhur nga zona e Glyfadës dhe kishte targa të falsifikuara, të cilat i përkisnin një automjeti të të njëjtit lloj nga zona e Pierias. Krimi ndodhi në Halkida.
Policia greke bëri me dije se Halili nuk kishte precedentë penalë dhe as nuk ishte i përfshirë në aktivitete të paligjshme. Prandaj, besohet se krimi ka ardhur si pasojë e ndonjë konflikti të kohëve të fundit ose si pasojë e një grindjeje për xhelozi. Aktualisht, po bëhen kërkime për autorët e mundshëm me të cilët ai ka pasur përplasje dhe është kërcënuar në të kaluarën.
