Vrasje dhe përleshje me armë: Kanadezi vritet pas krimit

Kanadezi 38-vjeçar u qëllua nga policia ndërsa ishte me një grua tjetër, pas vrasjes së bashkëshortes shqiptare.

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e 29-vjeçares shqiptare, Savannah Kulla, nënë e katër fëmijëve, nga bashkëshorti i saj.

Anthony Deschepper, 38 vjeç, e qëlloi gruan e tij me armë zjarri në një parkim në qytetin e Bramptonit, rreth orës 14:00 të së martës. Menjëherë pas ngjarjes, ai u largua nga vendi i ngjarjes, duke marrë me vete vajzën e tyre, 1-vjeçare.

Forcat e policisë nisën kërkimet për Deschepper, duke lëshuar edhe një alarm të kuq. Rreth orës 2:30 të mëngjesit të së mërkurës, ai u identifikua nga një oficer policie pranë një stacioni karburanti në afërsi të Niagara Falls. Ai udhëtonte me një automjet tjetër, jo atë me të cilin ishte larguar nga vrasja e bashkëshortes.

Autoritetet policore bënë të ditur se autori nuk iu bind urdhrave për të ndaluar dhe u përlesh me armë. Oficeri i policisë e qëlloi, duke i shkaktuar vdekjen 38-vjeçarit në vend.

Vajza e vogël u gjet shëndoshë e mirë, pasi autori e kishte lënë te familjarët e tij pas vrasjes së bashkëshortes.

Gjatë momentit kur u përball me policinë, në automjetin e 38-vjeçarit ndodhej edhe një grua tjetër, e cila u ndalua nga forcat e rendit. Ende nuk dihet lidhja mes tyre.

Scroll to Top