Vrasje mafioze në Elbasan: Detaje të reja nga ekzekutimi i biznesmenit

Autorët ishin 2 persona: Detaje të reja nga ekzekutimi i biznesmenit në Elbasan

Janë zbuluar detaje të reja lidhur me ngjarjen e rëndë të vrasjes me armë zjarri, atentat në stil mafioz, ndaj biznesmenit Mondi Mëhalla, i njohur edhe si Edmond Hyka, në Elbasan. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:35, përpara karburantit “Xhaxhi Oli”, në pronësi të tij, i cili ndodhet në unazën jugore të qytetit.

43-vjeçari, ndodhej brenda makinës së tij kur dy persona i janë afruar dhe kanë qëlluar ndaj tij. Si pasojë e plagëve të marra, biznesmeni ka humbur jetën menjëherë. Dëshmitarët okularë raportuan për policinë se autorët, pasi u siguruan që “objektivi” i tyre kishte ndërruar jetë, u larguan me një makinë.

Forca të shumta policore mbërritën në vendngjarje dhe u ngritën postblloqe në disa akse kryesore të qytetit. Motivacionet e ngjarjes ende nuk janë bërë të ditura. Nuk është e qartë nëse viktima kishte ndonjë konflikt aktual apo nëse ishte përfshirë në aktivitete të paligjshme në të kaluarën.

Në një njoftim paraprak, policia e Elbasanit deklaroi: “Rreth orës 20:35, është marrë njoftim se në lagjen “Emin Matraxhiu”, brenda një automjeti të parkuar, është gjetur, i vrarë me armë zjarri, shtetasi M. M. alias E. H., 43 vjeç. Në vendngjarje shkuan menjëherë shërbimet e Policisë dhe janë ngritur pika kontrolli në daljet e qytetit. Vijojnë kontrollet në zonë dhe në ambiente të ndryshme për kapjen e autorit/ëve. Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.”

Disa persona janë shoqëruar për sqarim, ndërsa po sekuestrohen pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar autorët dhe lëvizjet e tyre para dhe pas ngjarjes.

Scroll to Top