Vrasje për hakmarrje në Kretë: Ceremonia mortore nën masa të rrepta sigurie
Funerali i 56-vjeçares Evangelia Fragkiadaki, e cila u vra në një përleshje të përgjakshme në Vorizia, u zhvillua me masa sigurie të papara. Këto masa përfshinë edhe përdorimin e një detektori metaliksh, për të parandaluar hyrjen e personave të armatosur. Një kontroll me qen zbulues eksplozivësh u krye si në oborrin ashtu edhe në brendësi të Kishës së Shenjtë të Kryqit, duke siguruar që ceremonia të zhvillohej pa ndonjë incident.
Lamtumira e 56-vjeçares u zhvillua në një atmosferë zieje të heshtur. Të afërmit e saj bënë thirrje për ndalimin e ciklit të gjakderdhjes dhe për t’i dhënë fund hakmarrjes që ka tronditur të gjithë ishullin e Kretës.
Mesazhi i priftit gjatë shërbesës mortore ishte veçanërisht i fuqishëm: “Le ta kuptojmë të gjithë, për sa kohë që e lëmë gjakun të rrjedhë, toka jonë nxihet.” Ai u bëri thirrje besimtarëve të ndalonin episodet e dhunës, duke theksuar: “Ky cikël dhe sakrificë e pakuptimtë duhet të ndalet. Zoti na dhëntë një zemër të qetë, plot dashuri për të gjithë, le të ndalet cikli i gjakut, le të ndalojmë së vajtuari viktimat. Vetëm kur ta lejojmë Krishtin të hyjë në zemrat tona, toka jonë do të ndalojë së vajtuari të vdekurit.”
Varrimi i 56-vjeçares u krye në varrezat e Alikianos, pranë bashkëshortit të saj, i cili kishte ndërruar jetë dy vjet më parë. Fshati Alikianos ishte i rrethuar nga masa të shtuara sigurie, me oficerë policie të pranishëm në të gjitha rrugët pranë kishës për të parandaluar çdo episod të ri dhune.
Dokumenti i mjekut ligjor mbi shkakun e vdekjes
Sipas protothema.gr, vdekja e 56-vjeçares Evangelia Fountelaki është klasifikuar qartë si “vrasje”. Dokumenti i nënshkruar nga zëvendëskryetarja e Shërbimit Mjekësor Ligjor të Kretës, Eleni Krasanaki, përcakton se shkaku i vdekjes janë “lëndime në gjoks nga një plagë me armë zjarri”, duke e cilësuar llojin e vdekjes si “vrasje”. Ky raport konfirmon plotësisht hetimet paraprake, të cilat kishin zbuluar se gruaja nuk vdiq nga një atak në zemër, siç ishte raportuar fillimisht, por u qëllua gjatë përleshjes vdekjeprurëse në Vorizia.
