Thuajse një vit pas lirimit nga burgu, Gilmando Dani, 47 vjeç, u ekzekutua të martën në dalje të aeroportit të Rinasit. Një person i dytë, Muçi Shaljani, 40 vjeç, mbeti i plagosur.
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:20, kur automjeti me të cilin udhëtonte Dani u qëllua me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar. Sipas Policisë së Tiranës, Gilmando Dani ndërroi jetë në vend, ndërsa Muçi Shaljani u transportua në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Gilando Dani njihej si një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Emiljano Shullazit, një personazh i njohur në fushën e krimit të organizuar. Ata u dënuan së bashku në nëntor të vitit 2018 nga Gjykata e Krimeve të Rënda për zhvatje pasurie, kërcënim dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Dani u dënua me 12 vjet burg dhe u lirua nga qelia në tetor të vitit 2024, pasi kishte përfunduar dënimin.
Sipas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, Dani u dënua si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal dhe për kërcënimin e biznesmenëve Ylvi Beqja dhe Jani Zarka. Grupi u shpall i pafajshëm për akuzën e kërcënimit të rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynur Koni dhe ish-rektorit Dhori Kule, si dhe për vendosjen e lëndës eksplozive në garazhin e biznesmenit Jani Zarka.
Gjatë procesit gjyqësor ndaj grupit të drejtuar nga Shullazi, disa gjyqtarë u kërcënuan dhe të tjerë dhanë dorëheqjen, ndërkohë që institucionet e drejtësisë dhe ato të qeverisë raportohet se kanë vepruar pasivisht.