Vrasje në Tiranë: 41-vjeçari vrau kamarierin në vendin e punës

Vrau Kamarierin pasi Pretendonte se e Bullizoi: 41-Vjeçari, i Dënuar edhe më Parë

Një 41-vjeçar, i cili rezulton të jetë i dënuar edhe më parë, është arrestuar në flagrancë pasi dyshohet se ka vrarë me mjet prerës (thikë) një kamarier në ambientet e lokalit ku të dy punonin, në zonën e Komunës së Parisit. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme.

Autori, shtetasi Filip Shehu, 41 vjeç, u kap menjëherë pas krimit nga shërbimet e Policisë.

NJOFTIMI I POLICISË

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, kanë finalizuar operacionin për kapjen e autorit të dyshuar të ngjarjes së ndodhur pasditen e djeshme, në Komunën e Parisit.

Shtetasi F. Sh., 41 vjeç, dyshohet se ka vrarë me mjet prerës (thikë) shtetasin Indrit Ismailllari, 36 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në ambientet e lokalit ku punonin të dy.

Fill pas ngjarjes, F. Sh. u arrestua në flagrancë për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Gjithashtu, gjatë veprimeve procedurale, u gjet dhe u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, mjeti prerës (thikë), me të cilin dyshohet se u krye vrasja.

Nga verifikimet e mëtejshme, rezultoi se autori i dyshuar ishte dënuar edhe më parë për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Scroll to Top