Ushtria izraelite ka njoftuar se ka vrarë një palestinez, i cili sipas tyre, ka hedhur një pajisje shpërthyese drejt ushtarëve gjatë një operacioni në afërsi të Nablusit, në Bregun Perëndimor të pushtuar. Autoriteti Palestinez raportoi se një 19-vjeçar ka humbur jetën nga plumbat izraelitë.
Në një deklaratë, ushtria izraelite tha: “Gjatë një operacioni në zonën e Nablusit, një terrorist hodhi një pajisje shpërthyese drejt forcave tona. Forcat u përgjigjën me zjarr dhe e neutralizuan terroristin”.
Nga ana e saj, Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se gjatë natës, “Hasan Ahmed Jamil Musa (19 vjeç) u vra nga zjarri i forcave pushtuese në kampin Al-Askar”, në lindje të Nablusit. Ai u qëllua nga plumbat e forcave pushtuese gjatë hyrjes së tyre në kamp rreth mesnatës, sipas Majed Abu Kisk, kryetar i komitetit të shërbimeve të këtij kampi refugjatësh. Ai shtoi se i riu u arrestua nga forcat pushtuese dhe kishte vdekur kur iu dorëzua shërbimeve palestineze të ambulancës.
Dhuna ka shpërthyer në Bregun Perëndimor që pas fillimit të luftës në Gaza, e cila nisi me sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023. Të paktën 1.006 palestinezë, luftëtarë dhe civilë, janë vrarë nga ushtarë ose kolonë izraelitë, sipas të dhënave të Agjencisë Franceze të Lajmeve bazuar në shifrat e Autoritetit Palestinez. Në të njëjtën periudhë, të paktën 43 izraelitë, civilë dhe ushtarë, janë vrarë në sulme palestineze ose gjatë operacioneve të ushtrisë izraelite, sipas të dhënave zyrtare izraelite.
