Vuçiç mohon akuzat për snajper, kërcënon me padi

“Pjesë e grupit të snajperistëve”, reagon Vuçiç: Unë nuk kam mbajtur kurrë pushkë!

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar ndaj akuzave sipas të cilave ai ka qenë pjesë e grupit të ashtuquajturit “Safari i Sarajevës”. Ky grup përbëhej nga njerëz të pasur dhe zyrtarë të lartë, të cilët dyshohet se qëllonin me snajper civilë gjatë rrethimit të kryeqytetit boshnjak në vitet ’90.

Vuçiç deklaroi se kurrë nuk ka mbajtur pushkë në dorë dhe njoftoi se do të ngrejë padi kundër mediave që kanë publikuar këto akuza, duke shtuar se do të angazhojë avokatët më të mirë në botë.

Gazetari hulumtues kroat, Domagoj Margetiç, deklaroi të martën se i ka dorëzuar Prokurorisë në Milano të dhëna që, sipas tij, tregojnë se Vuçiç ka marrë pjesë ose ka ndihmuar në “turizmin e snajperëve”. Ky fenomen bënte që të huaj të pasur të paguanin forcat serbe rreth Sarajevës së rrethuar, në këmbim të mundësisë për të qëlluar ndaj civilëve të qytetit.

“Unë nuk kam mbajtur kurrë pushkë. Madje, kur kam shkuar dhe kam pyetur nëse mund të bashkohem me ta, më thanë ‘djalosh, kthehu, na duhet një gazetar që di anglisht’. Historia është aq absurde dhe këtë e dinë të gjithë. Kam incizime, dëshmitarë dhe aty ku thonë se ishte pushka, në fakt ishin mbajtëse të kamerës që po ia mbaja kameramanit”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se do të angazhojë avokatët më të mirë në botë për të paditur mediat si “The Guardian”, “Daily Mail” dhe të tjerat që kanë raportuar për këtë çështje. Vuçiç tha se beson se mund të fitojë miliona euro në këto padi. “Vetëm duhet të shoh si e kanë formuluar, çfarë kanë formuluar dhe çfarë do të më thonë avokatët”, deklaroi presidenti i Serbisë.

“The Guardian” shkroi se presidenti i Serbisë po përballet me një kallëzim ligjor në rastin e “fundjavës së snajperëve” në Sarajevë, duke përcjellë deklaratat se Margetiç ka paraqitur kallëzimin pranë prokurorëve në Milano. Tabloidi britanik “Daily Mail” shkroi se presidenti i Serbisë akuzohet për pjesëmarrje në “safari njerëzor”, gjithashtu duke cituar pretendimet e Margetiç.

Edhe të enjten, gjatë konferencës rajonale të biznesit mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Ballkanit Perëndimor, Vuçiç, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, hodhi poshtë akuzat për lidhje me snajperët e fundjavës.

Mediat italiane raportuan në fillim të tetorit se prokurorët në Milano kanë hapur një hetim ndaj shtetasve italianë që dyshohet se u kanë paguar shuma të mëdha parash forcave serbe, në mënyrë që gjatë rrethimit të Sarajevës të mund të ishin “snajperë të fundjavës” dhe të vrisnin qytetarë për argëtim. Rasti është hapur nga prokurori Alessandro Gobbis, nën akuzat për vrasje me paramendim, të rënduar nga mizoria dhe motive të ulëta. Akuzat aktualisht janë ngritur kundër personave të panjohur dhe burojnë nga një kallëzim i paraqitur nga gazetari dhe shkrimtari Ezio Gavazzeni, me ndihmën e dy avokatëve dhe ish-gjykatësit Guido Salvini.

Scroll to Top