Vetëvendosja i jep fund spekulimeve: Propozon Glauk Konjufcën për President
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Glauk Konjufcën si kandidat për President të Kosovës. Ky vendim, sipas një njoftimi për media të partisë, është marrë pasi nuk është arritur të gjendet një kandidat konsensual për këtë post.
“Në këto rrethana, Lëvizja Vetëvendosje, pas të gjitha përpjekjeve për të arritur marrëveshje, do të propozojë për kandidat për President ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ish-kryetarin e Kuvendit, deputetin e shtatë legjislaturave dhe njeriun e dytë më të votuar në historinë e Republikës sonë, Glauk Konjufca”, thuhet në njoftimin e LVV-së.
Kjo parti i ka ftuar edhe një herë subjektet opozitare që të propozojnë një kandidat tjetër, duke ofruar ndihmë për mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme. “Nëse u nevojiten nënshkrime plotësuese ne ju ndihmojmë nga grupi ynë parlamentar”, thekson LVV-ja, e cila shprehet e bindur se “kjo sfidë është e kalueshme, zgjedhjet janë të evitueshme dhe është plotësisht e mundshme të gjejmë pajtueshmëri për të ecur përpara”.
