Gjenerali amerikan Wesley Clark do të dëshmojë në mbrojtje të Thaçit në Hagë
Gjenerali amerikan në pension, Wesley Clark, do të paraqitet si dëshmitar në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Thaçi aktualisht akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit pranë Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë.
Mbrojtja e Thaçit njoftoi se gjenerali Clark ka marrë autorizimin e nevojshëm nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara për të dëshmuar në favor të Thaçit. Ish-presidenti i Kosovës, së bashku me tre ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), po gjykohen në qytetin holandez për krime lufte.
Gjenerali Clark kishte drejtuar fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999. Kjo fushatë, e cila zgjati 11 javë, nisi me qëllim ndalimin e dhunës së forcave serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe u ndërpre në qershor të vitit 1999, një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.
Në Kosovë, Clark konsiderohet një hero për rolin e tij në çlirimin e vendit. Ai është vlerësuar me një dekoratë në Prishtinë në vitin 2024 dhe disa rrugë në Kosovë mbajnë emrin e tij.
Gjykimi ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët mohojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, po i afrohet fundit. Clark do të jetë i fundit që do të dëshmojë në mbështetje të Thaçit. Mbrojtja e tij nisi thirrjen e dëshmitarëve në shtator.
Megjithëse nuk është bërë e ditur data e saktë kur Clark do të dëshmojë, ai ka njoftuar se nuk mund të fillojë para datës 18 apo 19 nëntor. Mbrojtja e Thaçit fillimisht kishte planifikuar të përfundonte thirrjen e dëshmitarëve deri më 14 nëntor, por gjykata ka miratuar më shumë kohë. Mbrojtja ka kërkuar gjithashtu që data 21 nëntor, e premtja, të rezervohet si seancë shtesë, në rast nevoje për ta përmbyllur dëshminë e Clarkut.
Deri më tani, në mbrojtje të Thaçit kanë dëshmuar edhe ish-ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, James Rubin, këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje në vitin 1999, Paul Williams, dhe ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan. Të gjithë këta kanë deklaruar se Thaçi nuk kishte autoritet mbi UÇK-në.
Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë të Holandës, përbëhet nga gjyqtarë dhe avokatë ndërkombëtarë. Ajo u themelua nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015 për të gjykuar rastet kundër ish-anëtarëve të UÇK-së sipas ligjit të Kosovës. Pritet që gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së të përmbyllet deri në fund të dhjetorit.
Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999. Veseli drejtonte shërbimin e inteligjencës, Krasniqi ishte zëdhënës, ndërsa Selimi anëtar i shtabit të përgjithshëm.
Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime. Këto krime dyshohet se kanë ndodhur midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë. Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto akuza, të cilat të gjithë i mohojnë.
Avokatët mbrojtës kanë argumentuar se UÇK-ja nuk do të kishte fituar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare nëse do të ekzistonte një plan kriminal, siç pretendon prokuroria. Ata shtojnë se aktakuza bazohet në një keqinterpretim selektiv të ngjarjeve.
