Xhafaj kritikon qeverinë për mosrealizim fondesh

Xhafaj kundër qeverisë: Alibi për mosrealizimin e fondeve!

Në seancën maratonë në Kuvend, ku vazhdojnë diskutimet për buxhetin e vitit 2026, deputeti Fatmir Xhafaj ka drejtuar kritika të forta ndaj qeverisjes, duke përmendur “djegien” e fondeve buxhetore. Më poshtë, pjesë nga fjala e tij:

“Në qendër të çdo buxheti nuk është shifra, por rezultati. Prandaj, nuk mjafton të rrisim fondet; duhet t’i shpenzojmë drejt, me eficencë. Është për të ardhur keq kur shohim që një pjesë e mirë e fondeve buxhetore nuk realizohen. Kjo do të thotë më pak zhvillim, më pak kujdes social dhe më pak vende pune.

Pse ndodh kjo? Disa thonë që lidhet me reformën në drejtësi dhe kryesisht me institucionet e drejtësisë penale. Mund të jetë kështu, por askush nuk shpjegon në detaj. Mund të ketë dhe unë besoj se ka diçka. Ndaj, në seancat e mëparshme kam ngritur shqetësimin dhe kam kërkuar që të tregohet kujdes me penalizimin e administratës dhe biznesit në këtë vend, duke kërkuar një qasje tjetër nga strukturat e drejtësisë penale në këtë aspekt. Kjo kërkon uljen e palëve në një tavolinë për dialog dhe shqyrtimin e refletimeve që duhen bërë.

Por përtej asaj që mund të jetë racionale në këtë histori, personalisht besoj se në jo pak raste kjo është një alibi, mbas së cilës fshihet një problematikë tjetër me vetë institucionet dhe agjencitë që merren me administrimin e fondeve buxhetore.

Nisur nga raportimet e bëra në komision, rezulton se një pjesë e kanë realizuar mbi 90% të buxhetit të përcaktuar për investime, por edhe për mallra e shërbime. Atëherë si shpjegohet që disa e realizojnë dhe disa jo buxhetin e akorduar në vitin përkatës buxhetor? Si shpjegohet që disa i realizojnë prokurimet në fondin limit pothuajse plotësisht (99%), ndërsa disa arrijnë të kursejnë deri në 20% të fondit të prokuruar?

Besoj se ka disa faktorë që ndikojnë në këtë realitet. Ndër të tjera, kjo lidhet me drejtimin e institucioneve, me aftësitë menaxhuese të drejtuesve dhe sidomos me aftësinë për të zgjedhur njerëzit e përshtatshëm në këto procese, me motivimin dhe mbështetjen e tyre për të punuar të qetë dhe në liri, duke zbatuar drejt ligjin dhe përgjegjësitë përkatëse.”

Scroll to Top