Yield-et e obligacioneve 20-vjeçare bien më tej, duke iu afruar nivelit më të ulët historik
Yield-et e obligacioneve me afat 20-vjeçar kanë shënuar një rënie të mëtejshme në ankandin e dytë të këtij viti, duke konfirmuar tendencat ulëse të vërejtura edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2026. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në rihapjen e ankandit të obligacioneve 20-vjeçare, yield-i uniform i pranuar ka rënë në 6.2%, krahasuar me 6.72% që ishte në ankandin e fundit të këtyre instrumenteve, zhvilluar në janar të këtij viti.
Yield-i i këtyre obligacioneve po i afrohet përsëri nivelit minimal historik prej 6.15%, i cili u shënua në marsin e vitit të kaluar. Ulja e yield-it u ndikua kryesisht nga kërkesa e lartë e investitorëve. Nga shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave prej 1 miliardë lekësh, vlera totale e kërkesave arriti në rreth 2.6 miliardë lekë.
Ministria e Financave vendosi të rrisë shumën e emetimit me afërsisht nivelin maksimal të lejuar nga rregullorja e ankandit prej 15%, duke arritur një shumë totale prej 1.15 miliardë lekësh. Nëse shuma e emetimit nuk do të ishte rritur, me shumë mundësi yield-i do të kishte rezultuar edhe më i ulët. Pjesa e pranuar e ofertave konkurruese (prorata) ishte 85.95%.
Obligacionet 20-vjeçare përbëjnë instrumentet më afatgjata të borxhit që ofron aktualisht tregu i brendshëm financiar. Ato u emetuan për herë të parë në janar 2025, nëpërmjet një ankandi për testimin e tregut. Ky instrument u prit me interes të konsiderueshëm nga investitorët, duke e nxitur Ministrinë e Financave ta përfshijë atë në kalendarin e rregullt të huamarrjes së brendshme.
Shtimi i instrumenteve të borxhit me maturim afatgjatë krijon më shumë mundësi për zhvillimin e tregut dytësor të titujve, duke i bërë ata më likuidë. Një tendencë të ngjashme rënëse kanë shfaqur edhe instrumentet e tjera të borxhit afatgjatë, duke përfshirë obligacionet 10-vjeçare dhe 15-vjeçare. Ndërkohë, bonot e thesarit, në të gjitha maturitetet, vazhdojnë të qëndrojnë nën normën bazë të interesit.
Likuiditeti i lartë i tregut dhe kërkesa e investitorëve duket se po ushtrojnë sërish një presion rënës mbi kthimet e titujve afatgjatë të qeverisë shqiptare. Depozitat në banka, që janë financuesi kryesor i borxhit të brendshëm, po vazhdojnë të rriten me ritme të kënaqshme edhe në muajt e fundit. Rritja vjetore e depozitave në fund të janarit arriti në rreth 8%.
Ndërkohë, oferta e monedhës shqiptare (Lekut) në përgjithësi po rritet me ritme dyshifrore që prej marsit të vitit të kaluar, e mbështetur nga kreditimi me ritme të larta të ekonomisë dhe nga operacionet e Bankës së Shqipërisë për blerjen e valutës.
Burimi: Banka e Shqipërisë
