Zbardhet vrasja misterioze në Shkodër, arrestohen 4 persona

Zbardhet vrasja misterioze në Shkodër, policia arreston katër persona

Policia e Shkodrës ka zbardhur vrasjen e shtetasit Hysni Ymeri, e cila u krye me lëndë eksplozive më 29 dhjetor në lagjen ‘Manush Alimani’. Si rezultat, uniformat blu kanë identifikuar dhe arrestuar katër persona, të cilët dyshohet se janë autorët e kësaj vrasjeje.

Të arrestuarit janë:

  • Gerti Bushati, 27 vjeç
  • Ergys Ibrahimi, 27 vjeç
  • Edison Hasaj, 25 vjeç
  • Gjergji Zefi, 24 vjeç

Policia bën të ditur se ndalimi i tyre u bë për shkak të dyshimeve të bazuara dhe të mbështetura në prova se këta persona, kundrejt pagesës dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 29 dhjetor, duke përdorur lëndë eksplozive (e dyshuar me telekomandim në distancë), kanë shpërthyer panelin elektrik të pallatit ku banonte shtetasi Hysni Ymeri.

Gjatë veprimeve procedurale, kontrolleve të ambienteve dhe personave, janë gjetur dhe sekuestruar si prova materiale:

  • 28 celularë
  • 1 automjet ‘Mercedes-Benz’
  • Rrobat e veshura nga autori i dyshuar që ka vendosur lëndën eksplozive
  • Municion luftarak
  • Një sasi monetare në lekë dhe euro
  • Një sasi lëndë narkotike, përfshirë kokainë
  • 3 pajisje gjurmuese GPS
  • 2 kamera sigurie
  • 1 laptop

Policia dyshon se në këtë ngjarje të rëndë kanë qenë të përfshirë edhe persona të tjerë dhe thekson se po punohet për identifikimin dhe kapjen e tyre, si dhe për zbardhjen e motiveve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës për veprat penale: ‘Vrasja me paramendim’, e kryer në bashkëpunim; ‘Shkatërrimi i pronës me eksploziv’; ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’; ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’, e kryer në bashkëpunim; si dhe ‘Prishja e qetësisë publike’.

Në ditën e ngjarjes, policia fillimisht njoftoi se shtetasi Ymeri kishte ndërruar jetë si pasojë e shpërthimit të panelit të matësve elektrike të pallatit. Megjithatë, ky version u kundërshtua nga OSHEE, e cila mohoi që shpërthimi të kishte ndodhur për shkak të kutisë së matësve, duke theksuar se sahati nuk shpërthen, por shkakton zjarr.

Dyshimet për një atentat u ngritën që nga momenti i ngjarjes dhe u konfirmuan nga Policia e Shkodrës të premten e kaluar. Viktima Hysni Ymeri banonte në katin e katërt të pallatit. Shpërthimi ndodhi pasi ai zbriti në katin e parë, duke i shkaktuar plagë të shumta në trup, të cilat çuan në vdekjen e tij pak minuta më pas në spitalin e Shkodrës.

Scroll to Top