Zbulohet dinamika e vrasjes në aeroport: Si e pritën autorët Gilmando Danin
Zbulohen detaje të reja lidhur me atentatin ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë miku i tij Muçi Shaljani (Sheqeri), agjent i AMP-së.
Nga hetimet paraprake është zbuluar se autorët i kanë pritur viktimat para aeroportit dhe kanë lëvizur me dy makina paralel me njëra-tjetrën. Gjatë lëvizjes, nga njëra prej makinave autorët kanë qëlluar me breshëri plumbash.
Mjeti “Benz” ka ecur për disa metra dhe është ndaluar për shkak të të shtënave. Në atë moment, një nga autorët, i veshur me kapele dhe i maskuar, ka dalë nga makina, është afruar dhe ka qëlluar disa herë me pistoletë. Më pas, është kthyer në makinë dhe ata janë larguar drejt Fushë-Krujës.
Shaljani ka marrë një plagë plumbi në kokë dhe gjendja e tij është kritike, ndërkohë që mjekët po përpiqen për ta mbajtur në jetë.
Po hetohet gjithashtu nëse autorët kanë pasur informacione të detajuara për itinerarin e shënjestrave dhe kush ua ka dhënë ato.
