Dështimi te Juventusi, zbulohet sekreti i shpërthimit të sulmuesit brazilian: Po, paguaj shokët për asistet!
Kaio Zhorzh disa vite më parë zbarkoi te Juventusi si një premtim i madh i futbollit brazilian. Megjithatë, ai nuk la kurrë gjurmë te bardhezinjtë dhe kalimi i tij te Frozinone në huazim nuk i solli ndihmë. Futbollisti u kthye sërish në Brazil, ku tashmë është pjesë e Kruzeiros dhe në sezonin aktual po shënon me një ritëm të jashtëzakonshëm.
Më sa duket, sekreti i këtij shpërthimi qëndron në faktin se ai paguan shokët e skuadrës që t’i japin asistime për golat, duke përmirësuar kështu statistikat e tij para portës. Këtë e ka pranuar edhe vetë futbollisti pas ndeshjes së fundit, të mbyllur 3-3 ndaj Juventude, ku ai shënoi 2 gola.
Lojtari pranoi se i kishte paguar rreth 500 euro shokut të tij të skuadrës, Kaiki, për një prej asistimeve. “Ndaj Juventude i bëra pagesën Kaikit. Ai më detyron gjithmonë të paguaj sa të mbarojë ndeshja. Edhe vlera është rritur, është bërë shumë e kripur. Por e bëj për të arritur ëndrrën që kam”, tha sulmuesi brazilian, pa e fshehur aspak mënyrën që ka gjetur për të rritur statistikat e tij para portës, në një sezon ku tani ka arritur kuotën e 21 golave.
